
Në ditën e fundit të vizitës në Prishtinë, i dërguari i Bashkimit Europian për dialogun Kosovë-Serbi, dëgjoi qëndrimet e opozitës për propozimin europian për normalizimin e marrëdhënieve. Partia Demokratike e Kosovës shprehu rezerva të forta, ndërsa Aleanca për Ardhmërinë e Kosovë kërkoi që palët ta firmosin aneksin për zbatimin e planit.
“Qëndrimi konsistent i Partisë Demokratike të Kosovës, jo vetëm i shprehur së voni në kuadër të zhvillimeve të procesit të tashëm, por që nga viti 2018 dhe formalisht i ndërlidhur është vetëm me arritjen e qëllimit të njohjes së ndërsjellë. Pa njohje të ndërsjellë ne do të kemi vazhdim të dialogut, ashtu siç e parasheh neni 6 i marrëveshjes do të ketë pra vazhdimësi të pafundme të këtij procesi i cili do të jetë kushedi sa I gjatë, ndoshta edhe dhjetë, 12, ndoshta edhe 15 vjet, por krijon një status quo të re e cila nuk e përfundon konfliktin e ngrirë me Serbinë. Andaj edhe njëherë e shpreh edhe këtu para jush qëndrimi ne Partisë Demokratike të Kosovës, që ne e shohim marrëveshjen si të pamjaftueshme që nuk i adreson qëllimet shtetërore të Kosovës dhe që përtej hapave potencialisht pozitiv përpara krijon po ashtu edhe shumë pikëpyetje për të cilat fatkeqësisht deri sot kryeministri i Kosovë”, u shpreh kreu i PDK Memli Krasniqi.
“Ne mendojmë se Kosova është në një moment të rëndësishëm edhe besojmë që mundet me ec përpara me një marrëveshje e cila është e propozuar. E kemi të qartë se do të ketë punë edhe në vazhdimësi, mirëpo mendojmë që në rrethanat të cilat gjendemi sot, Ballkani bota dhe gjitha çështjet tjera që na rrethojmë mendoj se është e vlefshme. Kryetari Haradinaj e përcolli tek zotëri Lajçak edhe njëherë mendimin e Aleancës se mendojmë që ka të arritura serioze në këtë dokument e kuptojmë që është njohja dejure e Kosovës, mirëpo kuptojmë se marrëveshja përmban elemente të cilat i krijojnë marrëdhëniet krejt të reja në Ballkan e posaçërisht mes Kosovës dhe Serbisë”, deklaroi nënkryetari i AAK Ardian Gjini. (A2 Televizion)