Ndërmjetësuesi i BE në Prishtinë, Lajçak: Kurti dhe Vuçiç të pajtohen për zbatimin e planit të BE

Nga A2 CNN
9 Mars 2023, 19:23 | Kosova
Ndërmjetësuesi i BE në Prishtinë, Lajçak: Kurti dhe

“Diplomacia fluturuese” e Bashkimit Europian zbriti në Prishtinë. I dërguari i posaçëm për dialogun, Miroslav Lajçak, zhvilloi një bisedë konstruktive, të rëndësishme dhe të frytshme me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, lidhur me modalitetet e zbatimit të propozimit europian për normalizimin e marrëdhënieve me Serbisë. Pasi dëgjoi pritshmëritë e Prishtinës, zyrtari i Brukselit u shpreh optimist për takimin Kurti-Vuçiç të 18 marsit në Ohër, duke zbuluar se atyre do t’u ofrohet një dokument i ri për ta firmosur.

 “Takimi i 27 shkurtit ka qenë një sukses. Të dy liderët, edhe Kurti edhe Vuciç janë pajtuar se nuk ka nevojë që marrëveshja të diskutohet. Ajo është publikuar tashmë, mirëpo nëse duam që ajo të bëhet ligjërisht e detyrueshme, palët duhet të pajtohen edhe për planin e implementimit. Pra, duhet të dime se cilët janë hapat e mëtejshëm”, deklaroi Lajçak.

Më herët në zyrë e priti dhe presidentja, Vjosa Osmani. Kryetarja e shtetit të Kosovës diskutoi me Lajçak lidhur me zhvillimet e fundit në dialogun me Serbinë, ndërsa theksoi se fjalën përfundimtare rreth një marrëveshje të mundshme duhet ta thotë kuvendi i Kosovës.

“Presidentja Osmani potencoi se aneksi i zbatimit të marrëveshjes bazë, të dakorduar në Bruksel, duhet të jetë në frymën e parimeve të miratuara në Kuvendin e Republikës së Kosovës, gjegjësisht, paprekshmërisë së sovranitetit, integritetit territorial, kushtetutshmërisë dhe funksionalitetit të shtetit të Kosovës.”

Presidenca e Kosovës

I dërguari i Bashkimit Europian për dialogun Kosovë-Serbi do të qëndrojë në Prishtinë edhe të premten, ndërsa do të ketë takime edhe me liderë e përfaqësues të opozitës. Më tej ai do të vizitojë dhe Beogradin më 13 dhe 14 mars, për të marrë edhe atje pritshmëritë e udhëheqësve për planin e zbatimit të propozimit europian për normalizimin e raporteve Kosovë-Serbi. (A2 Televizion)

https://a2news.com/2023/03/09/lajcak-nis-viziten-dy-ditore-ne-prishtine-me-pas-shkon-ne-beograd/

A2 CNN Livestream

Latest Videos