Lajçak në Kosovë, Kurti gati të firmosë ujdinë, Vuçiç: Nuk e nënshkruaj kapitullimin serb

Nga A2 CNN
10 Mars 2023, 15:50 | Kosova
Lajçak në Kosovë, Kurti gati të firmosë ujdinë,

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u shpreh i gatshëm të nënshkruajë Marrëveshjen për normalizim me Serbinë, ne takimin që do të mbahet më 18 mars në Ohër t Maqedonisë së Veriut. Këto deklarata ai i bëri gjatë takimit në Prishtinë me të dërguarin e BE-së për dialogun, Mirosllav Lajçak, bëri të ditur zyra e kryeministrit.

"Ai shprehu pritshmërinë që Bashkimi Evropian të punojë në drejtim të përmbylljes së suksesshme të procesit të Marrëveshjes për normalizim përmes nënshkrimit zyrtar të saj në takimin e radhës", bëri të ditur kryeministria e Kosovës.

Sakaq edhe Lajçak tha se pritshmëria e Bashkimit Europian është që në takimin e 18 marsit në Ohër, të kenë një dokumet mbi të cilin të dyja palët të pajtohen. Ai i  cilësoi si konstruktive dhe shumë të frytshme bisedimet me kryeministrin Kurti.

“Qëllimi kryesor i kësaj vizite është që të marrë informacione se si Kosova e sheh zbatimin dhe ky takim ka përmbushur pritjet e mia në këtë kontekst. Unë do të jem në Beograd të hënën dhe të martën me të njëjtin qëllim, që të dëgjojmë nga Serbia se si e shohin zbatimin e atij dokumenti. Ne shpresojmë se do të arrijmë të kemi një dokument për të cilin palët do të pajtohen më 18 mars në Ohër. Tani për tani e kemi të pamundur të themi më shumë”, tha Lajçak.

Por presidenti serb Aleksander Vuçiç përsëriti qëndrimin se Serbia nuk do të pajtohet dhe as nuk do të qëndrojë e heshtur lidhur me anëtarësimin e mundshëm të Kosovës në OKB si dhe nuk do të njohë pavarësinë e Kosovës.

“Nuk më shkon në mendje të firmos kapitullimin e Serbisë”, deklaroi ai. Në takimin e 27 shkurtit Kurti e Vuçiç u dakordësuan mbi përmbajtjen e planit, por nuk e nënshkruan atë, siç u tha për shkak të mospajtimeve për planin e zbatimit. Krijimi i Asociacionit është pika që shqetëson palën kosovare, ndërsa Serbia nuk pranon anëtarësimin e Kosovës në OKB. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos