
Boiken Abazi, i cili garon i pavarur në Tiranë, por pjesë e Lëvizjes Vetëvendosje, ishte mëngjesin e sotëm në "Dita jonë", ku foli për fushatën, por edhe për pritshmëritë në zgjedhjet e 25 prillit.
Abazi u shpreh se ai synon 16 mijë vota në Tiranë për të siguruar mandatin e deputetit. Ai theksoi se angazhimi në Kosovë ka rritur besimin ndaj Lëvizjes Vetëvendosje.
“Besoj se një nga arsyet madhore që njerëzit duhet të votojnë për ne është modeli ekonomik që ne propozojmë, kjo është një nga arsyet madhore. Korrupsioni në Shqipëri nis nga Kuvendi, aty ku votohen ministra e kryeministri, të cilët më pas klanet e tyre i vendosin në administratë. Më pas, ne shikojmë se si ajo zbret poshtë në mënyrë kapitalare deri te një nëpunës i thjeshtë. Por më e rëndë është se si po kalohen në Kuvend ligjet speciale. Pasuritë tonë kombëtare po i përqendrojnë gjithnjë e më shumë në pak duar, duke varfëruar shqiptarët. Ky lloj modeli ka prodhuar pabarazi dhe varfëri. Ne jemi kundër këtij modeli dhe besojmë se përmes shtetit zhvillimor e kemi një mundësi të dalim nga kjo situatë. Fillimisht duhet qepur thesi i arkës së shtetit, pasi këta e kanë prerë poshtë dhe ti mund të fusësh aty para, por ato dalin sërish poshtë. Angazhimi ynë në Kosovë ka bërë që populli ta rrisë besimin te Lëvizja Vetëvendosje. Kemi kuptuar se ka nevojë për një rikthim të politikave tradicionale, me zgjidhje që e nisin nga e përgjithshmja.
Më tej, ai theksoi se në zgjedhjet e radhës VV do të jetë një nga subjektet politike kryesore në Shqipëri. “Ne do ta ngremë këtë lëvizje në Shqipëri. Planifikojmë të shkojmë qytet më qytet, fshat më fshat pas këtyre zgjedhjeve që të ngremë strukturat dhe herën tjetër të jemi me një platformë të plotë qeverisëse”. (A2 Televizion)