
Sekretari për çështjet ligjore në Partinë Demokratike Ivi Kaso ka paralajmëruar se në ditët në vijim opozita do të depozitojë të tjera kallëzime penale në SPAK për krimin zgjedhor. Në studion e “Absolut 4” ai tha se sfidat e opozitës janë të shumta deri në përfundimin e rezultatit të zgjedhjeve, për shkak se, sipas tij mazhoranca ka mobilizuar të gjitha levat e pushtetit në funksion të marrjes së mandatit të tretë.
“Sfidat janë të shumta, por parashikojmë sfida edhe gjatë procesit deri në daljen e rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve për shkak të situatë së politizuar dhe përgjegjësisë së mazhorancës që ka grumbulluar të gjitha levat e pushtetit janë mobilizuar që mazhoranca të marrë edhe një mandat të tretë. Kemi bërë 21 kallëzime penale, ditët në vijim do depozitohen të tjera për krimin zgjedhor. Kemi informacion e të dhëna zyrtare që janë regjistruar procedimet penale dhe po kryhen veprimet hetimore për një pjesë të dosjeve që nuk kanë ende një informacion”. Do të ishte në nder të institucionit që të jepte një shenjë”.
Kaso thekson se tashmë shitblerja e votës bëhet në mënyrë më të kamufluar, përmes përfshirjes së nxjerrjes nga skema e ndihmës ekonomike, apo me legalizimet, siç ishte dhe rasti i fundit i audiopërgjimit të Artan Lames. Referuar këtij rasti, Kaso u shpreh se kjo është një çështje sensitive, pasi i bën presion zgjedhësit për të votuar.
“Kallëzimet janë të shpërdorimit të burimeve shtetërore në fushatë dhe shitblerjes së votës, i kamufluara me skema të tjera si futja në skemën e ndihmës ekonomike apo trysnimi i zgjedhësve, dalja nga skema e ndihmës ekonomike, legalizimi, moszgjidhja e problemeve që ata kanë me shtetin, shpërdorimi i të dhënave të qytetarëve. U takon organeve të zbardhin kohën dhe do kisha pritur ndonjë reagim sa i takon përmbajtjes së tij, ku përmbajtja ishte operacion elektoral që shitblerjen e votës e kamuflonte në ndere për legalizimin. Ky është proces sensitive prek pjesën më të madhe të qytetarëve dhe në pjesën më të madhe të rasteve pasurinë e një jete të tërë e derdhur në formën e shtëpisë apo banesës. Kjo është e ndaluar, kur personi shtrëngohet për të votuar është vepër që bazohet me korrupsionin aktiv e pasiv që duhet të ndiqet nga SPAK”. (A2 Televizion)