
Ivi Kaso, kandidati për deputet i Partisë Demokratike në zgjedhjet e 25 Prillit, theksoi në “Absolut 4” se është shpresëplotë për fitore bindëse.
“Jemi shpresëplotë nga kontakti i përditshëm me qytetarët, që mazhoranca e ka humbur prej kohësh. E shikojmë jo vetëm te votuesit tanë tradicionalë, por te ata që kanë qenë indiferentë apo edhe përkrahës të kundërshtarit politik. Oferta jonë dhe programi ynë është asimiluar në mënyrë të plotë nga qytetarët. Shpesh, në biseda me ta, na vënë në vështirësi nga detajet me të cilët e njohin ofertën tonë. Ky është motiv entuziazmi për ne. Pjesa tjetër është ekipi ynë, që do t’i prijë ndryshimit”, tha Kaso.
Numri 17 në listën e PD-së në Tiranë, Kaso theksoi se “e rëndësishme është vullneti dhe dëshira që opozita e bashkuar t’i fitojë zgjedhjet me diferencë, pasi një mandat deputeti pa ndryshimin që presin shqiptarët, është i pavlerë”. (A2 Televizion)