A do të bashkëpunojë BD-ja me Ramën? Skënderi përgjigjet në “Absolut 4”

Nga A2 CNN
20 Prill 2021, 22:30 | Politikë
A do të bashkëpunojë BD-ja me Ramën? Skënderi

Arben Skënderi, kandidat për deputet i Bindjes Demokratike, deklaroi në “Absolut 4” në A2 se partia ku ai bën pjesë është e hapur për bashkëpunim me këdo, nëse konfigurimi i mandateve pas zgjedhjeve do ta kërkojë diçka të tillë.

Kur u pyet nëse do të bashkëqeverisnin me Edi Ramën, Skënderi u shpreh: “Ne jemi parti e djathtë dhe e qendrës së djathtë. Nëse pas votimeve, konfigurimi i mandateve del që duhet të bashkëveprojmë me një forcë politike, syri ynë do të shkojë një herë djathtas, me gjithë defektet që ka kryesuesi i kësaj partie (Lulzim Basha). Por, synimi ynë është që të mos lëmë njeri që të ketë të gjithë pushtetet në dorë. Militantët partiakë të tre partive janë kthyer si reparte ushtarake, e patë çfarë ndodhi me të dhënat personale. Vetëm këtu nuk ndodh gjë, njëri bën gallatë me privatësinë e individëve, tjetri nuk thotë gjë fare”.

Skënderi u bëri thirrje edhe atyre që nuk kanë më shpresë te partitë politike: “Atyre që kanë hequr dorë nga votimi, u bëj thirrje që kësaj radhe të votojnë personin”.

Në lidhje me mandatet që mund të marrë Bindja Demokratike, Skënderi tha: “Ka disa qarqe më dominues, jemi optimistë në Qarkun e Tiranës, ku numri i zgjedhësve dhe të mërziturve është shumë i madh. Në Vlorë po ecim mirë, në Shkodër dhe Korçë. Në qarqet kryesore, aty ku bëhet ndryshimi, jemi në gjendje jashtë mase të mirë”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos