Opozita në zgjedhje

Nga A2 CNN
20 Prill 2021, 23:39 | Politikë
Opozita në zgjedhje

Thirrja e Vuçiç për të votuar Ramën, Mediu në “Absolut 4”: Poshtëruese për shqiptarët, tregon dëshpërimin e Ramës

“Që shqiptarët të arrijnë në pikën që presidenti serb të bëjë thirrje për kë duhet të votojnë është skandaloze dhe tregon dëshpërimin e Ramës dhe situatën ku është katandisur interesi ynë kombëtar nga kjo qeveri”. Këtë qëndrim shprehu në studion e “Absolut 4” kreu i Partisë Republikane Fatmir Mediu. Sipas tij është e turpshme dhe poshtëruese për shqiptarët thirrja nga Serbia dhe Maqedonia e Veriut për të votuar Ramën, kur shqiptarët kanë qenë faktor dominant në Ballkan.

“Është kaq e turpshme për këtë qeveri sa del Zaev e Vuçiç dhe u bëjnë thirrje shqiptarëve; votoni Ramën. T’u bësh thirrje shqiptarëve nga Serbia dhe Maqedonia e Veriut ky është kulmi i një marrëdhënieje tërësisht poshtëruese për shqiptarët në rajonin e Ballkanit që në fillim të shekullit kanë qenë faktor dominant krah SHBA me luftën e Kosovës dhe pavarësinë e saj dhe marrëveshjen e Ohrit”. (për më shumë)

Mediu: Me qeverinë e Ramës, elementët e sigurisë janë në duart e atyre që nuk janë anëtarë të NATO-s

Kreu i Partisë Republikane, Fatmir Mediu, u shpreh në “Absolut 4” në A2 se me qeverinë e Edi Ramës, “elementët kyç të pikëpamjes së sigurisë janë në duar të shteteve që nuk janë anëtarë të NATO-s”.

“Anëtarësimi i vendit në NATO u shoqërua me krizën ekonomike të asaj kohe, por ka pasur investime të rëndësishme të huaja, që ishin të lidhura me anëtarësimin në NATO. Me qeverinë e re, elementët kyç të pikëpamjes së sigurisë janë në duar të shteteve që nuk janë anëtarë të NATO-s. Ne duhet të jemi të vëmendshëm me marrëdhënie të tilla”, u shpreh Mediu. (për më shumë)

Nard Ndoka: Tom Doshi nuk merr vota nga elektorati në Shkodër, por i blen ato

Kreu i Partisë Demokristiane Nard Ndoka ka denoncuar në studion e “Absolut 4” presionin dhe blerjen e votës për zgjedhjet e 25 prillit në qarkun e Shkodrës. Ai ka shigjetuar kreun e PSD-së Tom Doshi se në Shkodër nuk merr vota nga elektorati, por i blen ato për t’i dhënë mundësi Ramës për të vijuar më tej. Sipas tij ka prishur balancat politike dhe bën thirrje për ndarjen nga kjo politikë denigruese.

“Ai realisht e blen një mandat në Shkodër, kjo dihet botërisht, ai është në luftë edhe me ndërkombëtarët, ka prishur balancat politike. Nuk ka mbështetje të qytetarëve dhe elektoratit të asaj partie. Ai e ka përdorur politikën për biznes dhe ka pasur marrëdhënie direkte me kryeministrin Rama për shumë afera dhe po i përdor ato lekë që ka përfituar për të blerë vota dhe për t’i dhënë mundësi Ramës për të vijuar më tej. Është momenti të ndahemi nga kjo politikë denigruese, dhe një prej tyre është Tom Doshi dhe kjo shfaqje e shëmtuar. Është e turpshme që me 30 vite demokraci tentohet të blihet vota, është e turpshme për këta që e blejnë, jo ata që e shesin, se ata e shesin nga varfëria e skajshme, problemi ajnë këta duke filluar nga Rama që e blejnë në mënyrë të paskrupullt dhe publike”. (për më shumë)

A do të bashkëpunojë BD-ja me Ramën? Skënderi përgjigjet në “Absolut 4”

Arben Skënderi, kandidat për deputet i Bindjes Demokratike, deklaroi në “Absolut 4” në A2 se partia ku ai bën pjesë është e hapur për bashkëpunim me këdo, nëse konfigurimi i mandateve pas zgjedhjeve do ta kërkojë diçka të tillë.

Kur u pyet nëse do të bashkëqeverisnin me Edi Ramën, Skënderi u shpreh: “Ne jemi parti e djathtë dhe e qendrës së djathtë. Nëse pas votimeve, konfigurimi i mandateve del që duhet të bashkëveprojmë me një forcë politike, syri ynë do të shkojë një herë djathtas, me gjithë defektet që ka kryesuesi i kësaj partie (Lulzim Basha). Por, synimi ynë është që të mos lëmë njeri që të ketë të gjithë pushtetet në dorë. Militantët partiakë të tre partive janë kthyer si reparte ushtarake, e patë çfarë ndodhi me të dhënat personale. Vetëm këtu nuk ndodh gjë, njëri bën gallatë me privatësinë e individëve, tjetri nuk thotë gjë fare”. (për më shumë)

Kaso paralajmëron kallëzime të reja në SPAK për krimin zgjedhor: Rasti i Lames, çështje e ndjeshme

Sekretari për çështjet ligjore në Partinë Demokratike Ivi Kaso ka paralajmëruar se në ditët në vijim opozita do të depozitojë të tjera kallëzime penale në SPAK për krimin zgjedhor. Në studion e “Absolut 4” ai tha se sfidat e opozitës janë të shumta deri në përfundimin e  rezultatit të zgjedhjeve, për shkak se, sipas tij mazhoranca ka mobilizuar të gjitha levat e pushtetit në funksion të marrjes së mandatit të tretë.

“Sfidat janë të shumta, por parashikojmë sfida edhe gjatë procesit deri në daljen e rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve për shkak të situatë së politizuar dhe përgjegjësisë së mazhorancës që ka grumbulluar të gjitha levat e pushtetit janë mobilizuar që mazhoranca të marrë edhe një mandat të tretë. Kemi bërë 21 kallëzime penale, ditët në vijim do depozitohen të tjera për krimin zgjedhor. Kemi informacion e të dhëna zyrtare që janë regjistruar procedimet penale dhe po kryhen veprimet hetimore për një pjesë të dosjeve që nuk kanë ende një informacion”. Do të ishte në nder të institucionit që të jepte një shenjë”. (për më shumë)

Numri 17 në Tiranë, Kaso: E rëndësishme, që opozita e bashkuar t’i fitojë zgjedhjet me diferencë

Ivi Kaso, kandidati për deputet i Partisë Demokratike në zgjedhjet e 25 Prillit, theksoi në “Absolut 4” se është shpresëplotë për fitore bindëse.

“Jemi shpresëplotë nga kontakti i përditshëm me qytetarët, që mazhoranca e ka humbur prej kohësh. E shikojmë jo vetëm te votuesit tanë tradicionalë, por te ata që kanë qenë indiferentë apo edhe përkrahës të kundërshtarit politik. Oferta jonë dhe programi ynë është asimiluar në mënyrë të plotë nga qytetarët. Shpesh, në biseda me ta, na vënë në vështirësi nga detajet me të cilët e njohin ofertën tonë. Ky është motiv entuziazmi për ne. Pjesa tjetër është ekipi ynë, që do t’i prijë ndryshimit”, tha Kaso. (për më shumë)

(A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos