
Oerd Bylykbashi në Absolut 4: Zgjedhjet e 25 prillit nuk ishin as të lira as të ndershme
Anëtari i Kryesisë së Partisë Demokratike, Oerd Bylykbashi ishte i ftuar në Absolut 4 në A2, ku foli rreth asaj që ai e quajti një masakër elektorale që u zbatua në zgjedhjet parlamentare të 25 prillit.
Ndërsa komentoi zërat për largimin e kryetarit të PD, Lulzim Basha, Bylykbashi u shpreh se momentalisht detyra e opozitës është faktimi i manipulimit të zgjedhjeve dhe më pas do të ketë një analizë të përgjithshme për të gjitha gjërat brenda partisë.
Bylykbashi deklaroi mes të tjerash se zgjedhjet e 25 prillit nuk ishin as të lira dhe as të ndershme.
“Në këtë moment detyra e Lulzim Bashës dhe e të gjithë të tjerëve që ishim të përfshirë në procesin zgjedhor, që pamë masakrën elektorale, është të faktojmë atë që ndodhi më 25 prill dhe që mund të ketë vazhduar gjatë numërimit. Është detyrë që Basha duhet të bëjë të mbylli procesin ankimor me prova dhe vakte përpara shqiptarëve dhe ndërkombëtarëve se çfarë ishin këto zgjedhje. Zgjedhjet nuk ishin as të lira as të ndershme. Sigurisht që ka një kohë për të bërë një analizë për atë që ka ndodhur që nga fushata zgjedhore që krijoi një energji të jashtëzakonshme. Do të ketë një analizë për të gjithë për gjërat që janë bërë mirë dhe ato që janë bërë keq”, u shpreh Bylykbashi.
Denoncimet për zgjedhjet, Vurmo: Manipulimet jo decizive, opozita ta kërkojë fajin te vetja
Gjergji Vurmo nga Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim u tregua i ashpër me sjelljen e opozitës pas rezultatit të zgjedhjeve të 25 prillit.
Sipas tij, ka pasur prova për manipulime por ato nuk kanë mundur të jenë decizive. Ai shtoi se opozita duhet t’i kërkojë fajet tek vetja që humb për të katërtën herë zgjedhjet dhe jo tek qeveria.
“Nuk e di kush kauza e radhës e PD. Shoh një lojë jo korrekte nga PD për të gjetur fajtorët e një situate që ne dhe shumëkush ja kanë paralajmëruar që kur bënë marrëveshjen e 5 qershorit. Për mendimin tim pyetja duhet shtruar kështu; Është e paaftë opozita për të garantuar zgjedhje të lira e të ndershme apo janë të paaftë ata njerëz që brenda në opozitë për herë të 4 kanë drejtuar nga humbja në humbje?
Manipulimet që shohim përditë nuk kanë mundur të ndryshojnë apo të jenë decizive, në humbjen e opozitës. Fajet opozita duhet t’i kërkojë tek vetja e saj jo tek manipulimet e qeverisë”, tha Vurmo.
Krasniqi në “Absolut 4”: Të gjithë aktorët politike kanë interes nga ankimimet në KQZ
Analisti Afrim Krasniqi deklaroi në “Absolut 4” se ankimimi i partive politike në Komisionin Qëndror Zgjedhor është një risi pozitive për Shqipërinë, por që iu shërben dhe aktorëve politikë.
“Është lajm i mirë që palët kanë vendosur të mos dalin në rrugë por t’iu adresohen institucioneve. Kjo është risi nga proceset e tjera zgjedhore dhe kushdo që e ka marrë këtë vendim, ka marrë një vendim pozitiv për Shqipërinë.
Të gjithë aktorët politike kanë interes nga këto ankimime. Opozita fiton kohë për të zgjidhur problemet e brendshme dhe për të shuar pakënaqësite e militantëve dhe për të thënë që unë po konsumoj dhe drejtësia nuk po funksionon, mazhoranca ka interes sepse opozita po merret me dosje dhe me procese teknike. Ndërkohë të gjithë e dimë që struktura e KQZ-së, KASI që do marrë vendimin është një organ tërësisht politik, raporti 3 me 2 dhe dihet sesi do jetë vendimi i tyre.”, u shpreh ai.
“SPAK-u nuk ka për t’i dhënë kurrë fitoren në tavolinë njërës apo tjetrës palë në zgjedhje”
“Nuk duhet të kemi pritshmëri që SPAK-u do të bëjë atë lojë politike që disa autorë politikë nuk patën kurajën ta bëjnë. Nga SPAK-u për këto zgjedhje ne duhet të presim maksimumin që të bëjë drejtësi, të dënojë ata që janë për t’u dënuar dhe të përmirësojë procesin për vitin 2025. SPAK-u nuk ka për t’i dhënë kurrë dhe nuk ka përse ta bëjë që t’i japë fitoren në tavolinë njërës apo tjetrës palë”.
Kështu u shpreh në A2 Gjergji Vurmo nga Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim, teksa u diskutua për denoncimet e bëra nga PD për shkeljet e pretenduara gjatë zgjedhjeve të 25 prillit.
“SPAK-u nuk kishte përse të reagonte përpara zgjedhjeve, por të çojë hetimin deri në fund. SPAK-u do të bënte historinë nëse do t’i shkonte deri në fund dhe besoj se do ta bëjë, në mënyrë që të mos arrestojë vetëm peshqit e vegjël, por të shkojë më lartë. Mos prisni që SPAK-u t’i japë fitoren në tavolinë njërës apo tjetrës palë. SPAK-u nuk është fare lojtar politik”, shtoi Vurmo.
Oerd Bylykbashi, anëtar i Kryesisë së PD, reagoi duke thënë se opozita ka bërë kallëzim penal me një listë emrash në Durrës, por nuk është bërë asgjë nga SPAK.
“Kemi kërkuar pavlefshmëri të zgjedhjeve”, Bylykbashi: Nuk gjykojmë se është çështje që janë numëruar votat gabim
Përfaqësuesi i Partisë Demokratike, Oerd Bylykbashi ishte i ftuar në Absolut 4 ku foli për hapat që do të ndjekë opozita në betejën ligjore që ajo ka nisur në lidhje me rezultatin e zgjedhjeve parlamentare të 25 prillit.
Bylykbashi renditi disa nga shkeljet, që sipas tij, përdori mazhoranca për të ngritur makinën elektorale që ndikoi direkt në rezultatin e zgjedhjeve duke nisur nga punësimet në administratë apo disbursimin e fondeve të rindërtimit dhe shtoi se PD nuk gjykon se votat janë numëruar gabim në tryezë.
“Ne themi këto zgjedhje, nuk është çështje rezultati, por është fakti që zgjedhjet nuk ishin zgjedhje. Ne kemi kërkuar pavlefshmërinë e zgjedhjeve. Ne nuk kemi kërkuar rinumërimin e votave. Por mund të ketë të tjerë që nuk kanë të njëjtin opinion me ne. Mund të ketë parti të vogla që me instrumentin e ri që është futur në kodin zgjedhor të kërkojnë rinumërimin e të gjitha qendrave të votimit.
Ne nuk gjykojmë se është çështje që janë numëruar gabim në tryezë sepse ne kemi numërues aty. Por askush nuk përjashton faktin që numëruesit e secilit partie të ketë shkelur ligjin dhe për këtë duhet të përballet me pasojën”, u shpreh Bylykbashi. (A2 Televizion)