Agjencia izraelite, partnere strategjike e Shqipërisë në sigurinë kibernetike

Nga A2 CNN
24 Tetor 2022, 16:14 | Aktualitet
Agjencia izraelite, partnere strategjike e Shqipërisë në

Kryeministri Edi Rama tha se Agjencia Izraelite e Sigurisë Kibernetike do të jetë partneri ynë strategjik në fuqizimin e mbrojtjes kibernetike dhe ngritjen e një qendre ekselence për sigurinë kibernetike. Rama njoftoi partneritetin përmes një postimi në Facebook, shoqëruar me një foto nga takimi me Gaby Portnoy, shefin e Agjencisë së Sigurisë Kibernetike të Izraelit dhe ish-gjeneral i ushtrisë së këtij vendi.

Shqipëria ra pre e sulmeve kibernetike të Iranit në korrik dhe shtator të këtij viti, duke vendosur shkëputjen e plotë të marrëdhënieve diplomatike me këtë shtet. Izraeli është gjithashtu një prej shteteve më të sulmuara nga Irani në fushën kibernetike.

Kryeministri ndodhet prej dy ditësh në Izrael ku është takuar me krerët më të lartë të shtetit. Të dielën ai u takua me kryeministrin, Yair Lapid, ku palët folën për forcimin e bashkëpunimit dypalësh në fushën e sigurisë kibernetike e të mbrojtjes, të ekonomisë dhe të turizmit.

Të hënën, Rama u prit nga Presidenti i Izraelit Isaac Herzog, i cili vlerësoi takimin me Kryeministrin Rama shumë të rëndësishëm sa i përket miqësisë së ngushtë që ka ekzistuar gjithmonë mes dy popujve, që është dëshmuar në situata të vështira, si dhe të marrëdhënieve të respektit reciprok mes vendeve. Gjatë kësaj vizite, Kryeministri Rama mori pjesë në ceremoninë e organizuar nga Lëvizja Lufto Antisemitizmin, ku iu drejtua të pranishmëve me një fjalë.

Rama u takua gjithashtu edhe me kryetarin e Kuvendit të Izraelit Miki Levi dhe liderin e opozitës Benjamin Netanyahu. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos