
Kryetari i Partisë demokratike, Sali Berisha, ka akuzuar kryeministrin Edi Rama, ministrin e Brendshëm Bledi Çuçi dhe Ardi Veliun për vdekjen e 32-vjeçarit Lear Kurti, disa ditë më parë. Bazuar edhe në investigimet e gazetarëve, Berisha thekson se Ardi Veliu gënjeu shqiptarët për vrasjen e 32-vjeçarit me urdhër të Ramës dhe Çuçit.
“Investigimet e rrjeteve televizive faktuan se mbi Lear Kurtin një bandë prej katër policësh, sigurisht prej tyre të droguar, u vërsulën në rrugë me një egërsi çnjerëzore. Këto filmime faktuan se Ardi Veliu ky mashtrues i paskrupullt gënjeu shqiptarët kur deklaroi se Lear Kurti po qëndronte para një objekti për të krijuar përshtypjen se po përpiqej për ndonjë akt kriminal, ndërkohë që ai po ecte i vetmuar duke biseduar në telefon me mikun apo familjarë të tij. Mashtrim i paskrupullt i policisë u hodh poshtë se, sipas tyre, patrulla prej dy policësh e ndaloi atë”.
Sipas Berishës, të dhënat faktuan se në trupin e viktimës kishte hematoma dhe autopsia u krye në kundërshtim me ligjin.
“Të dhënat faktuan se trupi i tij kishte hematoma. Ekspertët denoncuan kryerjen e autopsisë në kundërshtim me ligjin nga një bandë që donte të fshihte të vërtetën e krimit. Lear Kurtit i morën shpirtin xhelatë me uniformë dhe pastaj e dërguan në spital dhe pastaj në kundërshtim flagrant i bënë autopsinë pa prani të familjarëve apo avokatëve të tij, si bandë për të fshehur krimin e tyre të shëmtuar. Nëse do të donin të zbardhnin të vërtetën nuk mund të shkelnin procedurën strikte të investigimit në raste të tilla të ngjashme. Procedurë që kërkon 12 orë të lihet kufoma e të ndjerit dhe pastaj të bëhet autopsia dhe kurrë me një ekspert të vetëm nën presionin e një banditi si Ardi Veliu, por nga një grup ekspertësh të betuar për të thënë të vërtetën mbi gjetjen e tyre. Të gjitha këto u bënë me urdhër të Edi Ramës dhe Bledi Çuçit. Me urdhër të tyre, viktima u deklarua i dyshimtë për kriminel. Po me urdhër të tyre, Ardi Veliu deklaroi se policia e çoi të gjallë në spital. Njëlloj si në shpellat e mafies u bë më shpejtësi autopsia për të fshehur të vërtetën. Me urdhër të tyre u gjet dhe qesja plastike me drogë në stomakun e viktimës dhe u tha se vdiq nga overdoza. U vra për së dyti. Autori i vrasjes është Rama dhe Çuçi me kriminelin me uniformë Ardi Veliu”.
Berisha u bëri thirrje dhe ftoi qytetarët të vazhdojnë protestën, në mënyrë që këto krime të mos përsëriten. (A2 Televizion)