
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka konfirmuar sërish mbështetjen për protestën e pedagogëve. Në një deklaratë për mediat nga selia blu, Berisha paralajmëroi subvencionim për shtrenjtimin e jetës për studentët dhe theksoi se kancelarët e anëtarët militantë të bordeve, do të largohen nga universitetet.
“Unë jam sot këtu gjithashtu, për të shprehur dhe rikonfirmuar mbështetjen e plotë për suksesin e vërtetë të lëvizjes sindikaliste universitare. Sot pedagogët e universiteteve dhe studentët protestojnë dhe kanë bojkotuar mësimin. Me këtë rast i garantoj se Partia Demokratike mbështet të gjitha kërkesat e tyre dhe merr përsipër absolutisht adresimin me përparësi të plotë të çdo kërkese që ata kanë paraqitur deri sot, madje dhe përmirësime të tjera.
Nuk mund të ketë asnjë dyshim se rrogat e pedagogëve të universiteteve tona nuk mund të jenë asnjëherë dhe kurrë më të ulëtat se ato të Prishtinës. Se buxheti shkencor do të shumëfishohet. Se çdo student do të marrë të paktën 100 euro subvencion për shtrenjtimin e jetës në kushtet e sotme. Se liria akademike, se komisarët, kancelarët famëzi dhe anëtarët militantë të bordeve do të largohen menjëherë nga universitetet.
Edhe njëherë, ftoj të rinjtë të ngrihen në lartësinë e idealeve, e shpirtit, e guximit të tyre dhe të vazhdojnë protestat derisa t’i japin përgjigjen e merituar regjimit monist të Edi Ramës”, tha Berisha. (A2 Televizion)