Shtrenjtohet uji i pijshëm në Kukës, qytetarët: Do rëndojë më shumë gjendjen ekonomike

Nga A2 CNN
24 Tetor 2022, 15:30 | Aktualitet
Shtrenjtohet uji i pijshëm në Kukës, qytetarët: Do

Qytetarët e Kukësit do ta paguajnë më shtrenjtë faturën e ujit të pijshëm. Tashmë rritja e çmimit me 10 lekë më shumë për metër kub plus 10 lekë për shërbimin e heqjes së ujërave dhe 50 lekë për shërbimin e rrjetit ka hyrë në fuqi që nga data 1 tetor.

Për qytetarët kuksianë, kjo rritje do të rëndojë akoma më shumë gjendjen e tyre ekonomike. “Nuk mund të rritet uji në Kukës, kur Kukësi noton në ujë”, thotë një i moshuar.

Por përse ishte e nevojshme kjo rritje dhe si është justifikuar nga ndërmarrja e ujësjellës kanalizimeve të Kukësit? “Për shkak se ndërmarrja nuk i mbulonte kostot e shërbimit ndaj klientit”, thotë Eduard Spahia, drejtor i Ujësjellës Kanalizimeve. “Enti Rregullator i Ujit ka vendosur që kjo rritje do t’i mbulojë ato. Besoj se do të ketë impakt pozitiv”.

Nga ana tjetër qytetarët mendojnë se rritja e çmimit të ujit të pijshëm nuk mund të zgjidhë problematikat që ka ndërmarrja. “Kriza nuk zgjidhet me shtesë, vetëm acaron njerëzit të cilët, shumica, nuk kanë mundësi”, thotë një qytetar.

Ndërkohë, për institucionet publike dhe biznesin privat rritja e çmimit të ujit të pijshëm do të jetë me 20 lekë më shumë për metër kub. Ndërsa edhe taksat e tjera janë dyfish krahasuara me konsumatorin familjar. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos