Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se disa zyrtarë të Kosovës janë nisur drejt Kroacisë, për të ndihmuar qytetarët e përfshirë në aksidentin tragjik të këtij mëngjesi, ku humbën jetën 10 persona dhe mbi 30 të tjerë janë plagosur.
“Me zemër e me shpirt sot jemi me familjet që humbën më të dashurit në këtë tragjedi. Dhimbja është e papërshkrueshme e humbja shumë e madhe. Ngushëllime të sinqerta për të gjithë! Shteti i Kosovës do të jetë në krah të familjeve të atyre që humbën jetën, sikurse edhe të të lënduarve, të cilëve ju dëshiroj shërim të shpejtë”, shkroi Osmani në Facebook, ndërsa vetë ndodhet në Japoni.
“Veprimet tona shtetërore do të jenë në funksion të lehtësimit të dhimbjes së familjeve që humbën më të dashurit e tyre, ndaj zyrtarë të institucioneve të Kosovës tashmë janë nisur për në Kroaci për t’u dalë në ndihmë qytetarëve tanë të përfshirë në këtë aksident tragjik”.
Ndërsa kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, është nisur për në Kroaci, ndërsa ambasadori i Kosovës në Zagreb është nisur drejt vendit të aksidentit.
“Me pikëllim të thellë e morëm lajmin për aksidentin tragjik në Kroaci, të një autobusi me targa të Kosovës. Lutemi të ketë sa më pak të vdekur e sa më shpejt të shërohen të lënduarit. Me ankth e shpresë jemi pranë qytetarëve tanë dhe familjeve të tyre në këto çaste të rënda”, shkroi Kurti në Facebook. (A2 Televizion)