
Bashkia e Patosit, qytetit prej nga ishin 4 anëtarët e familjes Gushi, të cilët humbën jetën në një aksident tragjik mëngjesin e të premtes, ka deklaruar se do të paguajë shpenzimet funerale.
“I trishtë dhe i dhimbshëm lajmi për ndarjen tragjike nga jeta të 4 bashkëqytetarëve tanë. Me miqtë e familjarët e tyre sot është pikëlluar edhe i gjithë qyteti. Bashkia Patos shpreh ngushëllimet më të sinqerta të afërmve të familjes Gushi që humbën jetën tragjikisht në një aksident në aksin Fier-Vlorë.
Përmes një mbledhjeje urgjente të Këshillit Bashkiak, Bashkia Patos vendosi të marrë përsipër mbulimin e shpenzimeve të ceremonisë mortore për këtë familje. U prehshin në paqe. I qoftë dheu i lehtë!”, thuhet në një njoftim të dhënë në llogarinë e Bashkisë së Facebook.
4 pjesëtarët e familjes, burrë e grua, dhe dy vajzat e mitura, 9 e 14 vjeç, humbën jetën pas një aksidenti në aksin Levan-Vlorë, ku makina e tyre u përplas me një tjetër mjet në lëvizje. Tre djemtë brenda makinës tjetër kanë mbijetuar, 2 prej tyre janë transferuar në Tiranë për trajtim të mëtejshëm, ndërsa i treti ka pësuar vetëm gërvishtje. (A2 Televizion)