Aksidenti tragjik në Bullgari, shpallen 3 ditë zi. Zaev tregon bisedën me të mbijetuarin, identifikimi i viktimave, i vështirë

Nga A2 CNN
23 Nëntor 2021, 15:41 | Ballkani
Aksidenti tragjik në Bullgari, shpallen 3 ditë zi. Zaev tregon

Maqedonia e Veriut shpalli 3 ditë zi kombëtare, pas aksidentit tragjik në Bullgari, ku të paktën 46 persona humbën jetën.  Një autobus me 53 pasagjerë, shumica e të cilëve turistë shqiptarë nga Maqedonia e Veriut, u përfshi nga flakët në orët e para të së martës, teksa po kthehej nga Stambolli drejt Shkupit.

Mes viktimave janë edhe 12 fëmijë. 7 persona , të cilët arritën të dilnin nga dritaret, janë shtruar në një spital të Sofjes, në gjendje të qëndrueshme. “Vetëm 2 prej të plagosurve janë në gjendje të përshtatshme për t’iu përgjigjur pyetjeve. Të tjerët janë të tronditur, në kujdesin e mjekëve por jashtë rrezikut për jetën”, tha kreu i Shërbimit Investigativ në Bullgari, Borislav Sarafov.

Identifikimi i viktimave, i vështirë

Ngjarja ndodhi në autostradën Struma pranë fshatit të Bosnek, në orën 2 të mëngjesit. Autobusi i përkiste agjencisë turistike “Besa Trans”, e cila organizonte udhëtime në Stamboll. Autoritet bullgare, e përshkruan si tmerruese pamjet në vendin e ngjarjes, ndërsa theksuan se shumë prej pasagjerëve ishin djegur plotësisht. “Nuk kisha parë asnjëherë diçka të ngjashme. Njerëzit janë kthyer në hi”, tha ministri i Brendshëm i Bullgarisë, Boyko Rashkov.

Kryeministri Zoran Zaev udhëtoi drejt Bullgarisë, bashkë me ministrin e Jashtëm Bujar Osmani, dhe atë të Shëndetësisë, Venko Filipce, ku u takuan me të mbijetuarit dhe janë kontakt të ngushtë me autoritetet bullgare.

https://a2news.com/2021/11/23/fundi-tragjik-i-ekskursionit-ne-stamboll-12-femije-mes-viktimave-shqiptare-te-aksidentit-ne-bullgari-mesazhe-solidarizimi-nga-lideret-e-ballkanit-dhe-be-se/

Sipas informacioneve një familje me 4 anëtarë përfshirë dy binjakë të moshës 4-vjeçare u shua në aksident, e po ashtu humbën jetën 5 nxënës të shkollës fillore. Mes pasagjerëve ishte edhe një shtetas serb, e një belg. Identifikimi i viktimave është i vështirë dhe familjarët presin në ankth të mësojnë lajme për të afërmit e tyre. Autoritetet u kanë kërkuar të afërmve të dërgojnë materiale biologjike për identifikimin e trupave.

Hetimet, prokurorët maqedonas shkojnë në Bullgari

Prokurorët maqedonas u janë bashkuar autoriteteve bullgare që po hetojnë shkaqet e aksidentit, me mediat që shkruajnë se po shqyrtohen dy pista: ajo e gabimit njerëzor të shoferit dhe një defekt i papritur teknik.  Ministri i Brendshëm, Bojko Rashkov tha se autobusi shkatërroi parmakun mbrojtës të autostradës, duke shtuar se ka gjasa që zjarri të jetë shkaktuar nga kontakti i autobusit me barrierën. Megjithatë ka dëshmitarë që thonë se kanë parë autobusin mes flakëve teksa ishte në lëvizje, çka sugjeron se aksidenti mund të ketë ndodhur më vonë.

Një dëshmitar që citohet edhe nga kryeministri Zaev, rrëfen se kishte dëgjuar një shpërthim të fortë. Duke folur për median MIA, Zaev tha se kishte folur me një të mbijetuar. “Më shpjegoi që të gjithë ishin duke fjetur kur dëgjuan një shpërthim. Ata arritën të thyenin xhamin e një dritareje dhe të shpëtonin disa persona. Fatkeqësisht të tjerët nuk ia dolën”, tha ai.

https://a2news.com/video/aksidenti-tragjik-ne-bullgari-prokurore-nga-maqedonia-e-veriut-i-bashkohen-hetimeve/

Ministri i Brendshëm i Maqedonisë së Veriut, Venko Filipce, tha për televizionin publik bullgar, BNT, se mes të mbijetuarve ishte edhe një 16-vjeçare, ndërsa të gjithë ishin pjesë e të njëjtës familjeje. Nga një listë me emrat e të mbijetuarve, të botuar në mediat në Maqedoninë e Veriut, të paktën 3 persona figurojnë me të njëjtin mbiemër.

Historia e Bullgarisë me aksidentet rrugore

Aksidenti i të martës ndodhi në një sektor të autostradës ku kanë ndodhur edhe shumë aksidente të tjerë në të kaluarën, sipas ekspertëve rrugorë bullgarë. Vendi ka një histori me aksidente fatale me autobusë.

Në vitin 2018, 17 turistë bullgarë humbën jetën kur autobusi i tyre rrëshqiti në një rrugë të lagur dhe u përmbys.

Në vitin 2019, Bullgaria u vlerësua si shteti i dytë me vdekshmërinë më të lartë nga aksidentet rrugore brenda vendeve të unionit, me 89 viktima për 1 milion banorë, sipas të dhënave të Komisionit Europian Po atë vit, sipas të dhënave zyrtare, 628 persona humbën jetën, ndërsa 463 të tjerë kanë vdekur në aksidente rrugore në vitin 2020.

Në pjesën më të madhe të rasteve, aksidentet i janë atribuuar kushteve të këqija të rrugëve, makinave të vjetra dhe shpejtësisë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos