
Në prag të nisjes së fushatës për zgjedhjet vendore, prokurori i përgjithshëm Olsian Çela bëri të ditur ngritjen e një strukture të posaçme me 13 prokurorë që do të analizojnë çdo rast të krimit zgjedhor.
I pyetur se çfarë mund të ndryshojë ngritja e kësaj strukture këto zgjedhje, Dritan Taulla, Zv/Kryetar i Koalicionit për Reforma, Integrim dhe Institucione të Konsoliduara u shpreh në “Debat” se ky grup duhet të jetë eficent dhe i shpejtë në zbardhjen e problematikave.
Ai theksoi se nëse përgjegjësit për manipulimin apo dëmtimin e integritetit të zgjedhjeve, nuk vendosen përpara përgjegjësisë, mesazhi që jepet është që mund të vijojnë ta bëjnë pa u ndëshkuar.
Po ashtu, sipas Zv/kryetarit të KRIIK, Aktv1sti është një mënyrë e PS-së për të rifreskuar të dhënat që kishin mbledhur me sistemin e patronazhimit. Taulla ngre shqetësime rreth mënyrës sesi menaxhohen të dhënat personale të qytetarëve që logohen në këtë aplikacion.
Nëse shkon të politikat e privatësisë, të thotë vetëm që realizohet në përputhje me legjislacionin shqiptar, dhe jo kush i përpunon. Situata është problematike, dramatike. Është dramatike në ç’nivel jemi të ekspozuar. Besoj se të dhënat do të përdoren edhe në këto raste.” (A2 Televizion)