Akuza e kundërakuza, Çipa: Fushata do të jetë e ashpër

Nga A2 CNN
20 Tetor 2020, 11:33 | Politikë
Akuza e kundërakuza, Çipa: Fushata do të jetë e

I ftuar në A2, analisti Aleksandër Çipa komentoi akuza dhe kundërakuza e palëve politike rreth 6 muaj para zgjedhjeve të 25 prillit.

Çipa parashikon një fushatë të ashpër elektorale. “Mund të konsiderohet fillimi më i hershëm i një fushate zgjedhore në të gjithë historinë politike të 28 viteve. Unë nuk mbaj mend një fushatë të tillë, të nisur gati 8 muaj para se të vinte fushata zgjedhore. Kjo mesa duket do t’i vendosë palët në barrikada të ashpra të konfliktit verbal dhe të polemikës elektorale. Kjo të kujton ato pika të nxehta të tranzicionit postkomunist. Fatkeqësisht janë të njëjtat mjete që aktorët më të rëndësishëm politikbërës po përdorin për këtë fushatë.

Por çfarë i bën palët të jenë kaq të ashpra këtë herë, sipas Çipës. “Lodhja nga pushteti i gjatë kohorë i PS-së. Janë dy mandate dhe është e natyrshme që të jenë akumuluar jo vetëm pakënaqësi, por të jetë akumuluar edhe një stanjacion politik. Përballë kësaj mazhoranca është një opozitë, e cila në mënyrë absurde po dëshmon jo një kapacitet të fuqishëm që krijon imazhin e transformimit dhe të alternativës ndryshe të një pushteti tjetër. Basha, edhe pse pretendon se do të ketë një qasje tjetër të paketës apo institucioneve antimafie, mendoj se bën një gabim të ripërsëritur në skenën politike. Nuk duhet të jenë shumicat politike ato që e marrin përsipër drejtësi-bërjen, pasi këtë e realizojnë institucionet e përhershme të drejtësisë”.

Për Çipën opozita ka kohë për të paraqitur ofertën e saj qeverisëse, ndërsa thekson se denoncimet e fundit do t’i shtojnë mbështetjen e elektoratit.

“Kjo fushatë ka nisur më herë, por opozita dëshmon një lloj maturie. Opocionaliteti që bën Meta duket sikur e eklipson opozitën, ndërsa unë e lexoj këtë si proces të maturitetit politik të opozitës. Do të duhen 3 muaj për të zhvilluar fushatën elektorale për të afishuar projektin e opozitës, për të evidentuar stafin e një qeverisje. Unë mendoj se ka kohë opozita, por mënyra se si e ka nisur duke afishuar denoncime mbi dosje të mazhorancës, mendoj se e shton mbështetjen nga elektorati. Këto e rrisin vlerësimin për opozitën”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos