Këshilli i Lartë i Prokurorisë ka reaguar pas akuzave të ngritura nga Partia Demokratike në lidhje me kryetarin e SPAK, Arben Kraja, sipas të cilave ai kishte qenë hetues i komunizmit.
KLP sqaron se Kraja, sikurse edhe prokurorët e tjerë pjesë e strukturës, kanë kaluar disa filtra para se të zgjidheshin për këtë detyrë dhe bën thirrje për t’i mbështetur në punën e tyre.
“E kuptojmë se e shkuara personale dhe profesionale e prokurorëve të SPAK është e rëndësishme për suksesin e tyre dhe të institucionit. Po ashtu ne e kuptojmë se suksesi i SPAK nuk do të përcaktohet thjesht dhe vetëm nga avantazhet procedurale dhe organizative të tij në krahasim me strukturat pararendëse. Imazhi publik i institucionit të ri dhe besimi që ai duhet të ngjallë tek publiku i gjerë janë gjithashtu thelbësorë.
E kaluara e tyre është hetuar imtësisht në 4 rrafshe:
(i) Është verifikuar nëse kanë bashkëpunuar me strukturat famëkeqe të ish – sigurimit të shtetit në periudhën 29.11.1944 deri në 02.07.1991;
(ii) Është verifikuar nëse kanë pasur kontakte të papërshtatshme me persona të përfshirë në krimin e organizuar gjatë periudhës së punës si prokurorë;
(iii) Është verifikuar nëse pasuria e tyre është e ligjshme; dhe
(iv) Është verifikuar nëse aftësitë e tyre profesionale janë të përshtatshme për ushtrimin e funksionit të prokurorit.
Të gjithë prokurorët që sot shërbejnë në SPAK, kanë kaluar me sukses verifikimet e sipërpërmendura. Ata janë pa dyshim njerëzit më të kontrolluar e të testuar në Shqipëri. Madje, kalimi i këtyre testeve ka qenë një parakusht për të marrë pjesë në garën e organizuar nga Këshilli për përzgjedhjen e prokurorëve të Prokurorisë së Posaçme. Më tej prokuroret e SPAK janë përzgjedhur midis shumë të tjerëve në një proces konkurrues dhe transparent” (A2 Televizion)
Reagimi i KLP