
All Star Game së shpejti mund të bëhet realitet dhe në futboll. Sipas thashethemeve të fundit në mediat britanike, po punohet për një projekt që bashkon formacionet më të mira të katër ligave kryesore.
Ideja ka ardhur nga pronari i ri i Chelseat, Todd Boehly, i cili e konsideron këtë turne si një burim të mirë të ardhurash. Megjithatë kalendari i ngjeshur i klubeve ka bërë që shumë nga protagonistet e fushës e blertë të dilnin kundër.
Një prej tyre ishte dhe Jurgen Klopp i cili e ka kritikuar pasi aktivitete të tilla jo vetëm që rëndojnë gjendjen fizike të lojtarëve, por rrezikojnë dhe ti dëmtojnë ata.
Sipas britanikes The Times, ende nuk është përcaktuar nëse ndeshjet e këtij super turneu, do të luhen në verë apo në pushimet e dimrit. Për momentin mbetet vetëm një ide, por një ide që po merr formë gjithnjë e më tepër.
Kështu dëshmojnë edhe deklaratat e fundit të presidentit të Serie A, Lorenzo Casini: “Është një ide që meriton vëmendje. Ne do të studiojmë projektin dhe kompanitë, në asamble, do të vlerësojnë të gjitha të mirat dhe të këqijat. Besoj se tifozët do ta duan diçka të tillë’’.
Projekti pritet të diskutohet vetëm pas Kupës së Botës, Katar 2022. (A2 Televizion)