
Prej disa ditësh, në mediat angleze kanë qarkulluar lajme për një rikthim të mundshëm të Antionio Contes në stolin e Juventusit.
Rezultatet e dobëta të bardhëzinjve kanë bërë që menjëherë të diskutohet për pasardhësin e Massimiliano Allegrit në klubin bardhezi, ku emri më i përmendur është ai i trajnerit aktual të Tottenham.
Kjo ka shqetësuar jo pak teknikun 53-vjeçar i cili i ka hedhur poshtë të gjitha zërat për një transferim të mundshëm në Torino. Në konferencën e zakonshme për shtyp në prag të derbit ndaj Arsenalit, ai ka theksuar se nuk e mendon rikthimin në klubin Italian dhe fokusi i tij është vetëm Tottenham.
“Mendoj se disa zëra janë mungesë respekti ndaj trajnerit aktual të Juventusit dhe ndaj meje, pasi punoj për Tottenham. Sezoni sapo ka filluar, jam shprehur shumë herë rreth këtij argumenti. Ka disa kontrata që janë firmosur, nuk dua të dëgjoj më të flitet për këtë histori. E përsëris që këtu ndjehem mirë, jam i lumtur te Tottenham-i. Kemi gjithë sezonin për të gjetur zgjidhjen më të mirë për klubin dhe për mua”, deklaroi italiani.
Antonio Conte drejtoi Juventusin nga viti 2011 deri në 2014 dhe fitoi tre tituj kampion të Serie A, para se të ndahej mes shumë polemikash dhe tensionesh me shefin e klubit Andrea Agnelli.
Pavarësisht kësaj, tifozët bardhezi besojnë se dashuria që Conte ka për Juventusin nuk është shuar. Ai është parë në Torino gjatë pauzës së kombëtareve, pasi gruaja dhe vajza e tij jetojnë në Itali. (A2 Televizion)