
Bashkia e Kolonjës vuan prej kohësh mungesën e mjekëve në spitalin “Shaniko Jupasi”. Për 19 000 banorët e kësaj bashkie, janë vetëm 3 mjekë.
Fatmirësisht, në këtë periudhë pandemie, Kolonja nuk ka shënuar asnjë rast me koronavirus. Ndërkohë, në spitalin e kësaj bashkie, ushtrojnë detyrën vetëm tre mjekë dhe për një sërë sëmundjesh banorët detyrohen të udhëtojnë në spitalin e Korçës.
“Keq e më keq, nuk ka doktorë këtu, shkojmë në Korçë. Mungojnë mjekët kirurgë, kardiologë, okulistë etj. Të na ruajë Zoti mos të bëhemi për të vajtur në ato dyer”, thonë banorët.
Problematikën e mungesës së mjekëve e ka pranuar edhe kryetari i Bashkisë së Kolonjës, Erion Isai, sipas të cilit, edhe politikat subvencionuese të qeverisë nuk kanë dhënë rezultat për afrimin e mjekëve në spitalin e Kolonjës: “Është e vërtetë që ka mungesë mjekësh. Këtë problematikë nuk mund ta zgjidhë bashkia. Me gjithë politikat subvencioniuese të qeverisë, në spitalin e Kolonjës nuk janë afruar mjekë për të shërbyer”.
Ndërsa nga drejtoria e spitalit “Shaniko Jupasi” nuk pranuan të prononcohen për mungesën e mjekëve. A2 kërkoi një prononcim edhe nga drejtori i spitalit, por përveç përgjigjes së munguar, edhe dera e zyrës së tij është mbyllur. (A2 Televizion)