Një histori e veçantë vjen nga materniteti “Mbretëresha Geraldinë”. 12 mami të këtij institucioni janë shtatzënë në të njëjtën kohë.
Eljona Demaliaj, drejtoresha e maternitetit, në një lidhje direkte me studion e “Dita Jonë” nga Bora Shahini dhe Rei Bezhani, në A2CNN, deklaroi: “Është lajm shumë i bukur. Janë 12 mami shtatzënë dhe kjo tregon anën humane të punonjësve të sistemit shëndetësor. Unë gëzoj bashkë me mjekët e tjerë për të gjitha sepse jemi si familje e madhe”.
“Jemi të gëzuar sepse së shpejti do të kemi 12 beba që do të na gëzojnë gjatë këtij viti. Në maternitetin tonë dhe në të gjithë sistemin shëndetësor ka shumë personel që janë vajza të reja. Ndoshta nuk kemi pasur kaq raste të përqendruara, por gjithmonë ka pasur raste sepse janë vajza të reja, janë familjare”, deklaroi Demaliaj.
Kur u pyet nëse është e vështirë për një mami që pret fëmijë, të ndjekë gratë e tjera shtatzënë, drejtoresha u shpreh: “Kodin e Punës e zbatojmë në mënyrë të rregullt. Janë fazat e caktuara deri kur mund të bëjë turnin e dytë ose të tretë një mami shtatzënë. Fakti që janë mami dhe infermiere që vetë bëhen nëna, bën që të kenë më shumë empati dhe kujdes për një grua tjetër shtatzënë”. (A2 Televizion)