Çfarë ëndërrojmë para vdekjes? Studimi zbulon vizionet e fundit të jetës

Nga A2 CNN
12 Maj 2026, 18:50 | Lifestyle

Çfarë ëndërrojmë para vdekjes? Studimi zbulon

Njerëzit në fazat e fundit të jetës përjetojnë ëndrra dhe vizione gjithnjë e më reale teksa afrohet fundi i tyre. Shpesh këto përvoja lidhen me të afërm të ndjerë dhe shoqërohen me simbole tranzicioni, duke krijuar një ndjesi paqeje dhe pranimi.

Ky është përfundimi i një studimi të udhëhequr nga Elisa Rabitti, psikologe dhe psikoterapiste pranë AUSL Reggio Emilia në Itali, i publikuar në revistën shkencore “Death Studies”.

Sipas kërkimit, shumë pacientë pranë fundit të jetës raportojnë ëndrra me përmbajtje të fortë emocionale, ku shohin familjarë apo kafshë shtëpiake të ndjera që duket sikur i presin në anën tjetër. Një temë tjetër që përsëritej ishin simbolet e tranzicionit, të tilla si shkallët dhe dyert e hapura e të mbushura me dritë, një përpjekje e trurit për t'i dhënë kuptim një transformimi të afërt.

Studimi u realizua me ndihmën e 239 profesionistëve të kujdesit paliativ, përfshirë mjekë, infermierë dhe psikologë, të cilët treguan përvojat e pacientëve që kishin ndjekur.

Në shumicën e rasteve, pacientët kanë përjetuar ndjesi qetësie dhe ngushëllimi pas këtyre ëndrrave. Vetëm rreth 10% e tyre raportuan ëndrra ankthi apo shqetësuese.

Studime të mëparshme nga Christopher Kerr, drejtues i Hospice Buffalo në Nju Jork, kanë treguar se njerëzit pranë vdekjes shpesh ribashkojnë në ëndrra pjesë të jetës së tyre që kanë mbetur të papërfunduara, si humbje familjare apo trauma të së kaluarës.

Sipas ekspertëve, këto ëndrra lidhen edhe me faktin se pacientët terminalë kalojnë periudha më të gjata gjumi, ku kufiri mes ëndrrës dhe realitetit bëhet më i paqartë.

Për studiuesit, këto vizione përfaqësojnë një mënyrë të trurit për të përgatitur njeriun për shkëputjen nga jeta, duke e bërë procesin më pak të frikshëm dhe më të mbushur me ndjenja dashurie, paqeje dhe pranimi. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos