Për shumëkënd, studioja e saj është një tempull muzike, ku tingujt e pianos ndërthuren me ëndrrat e studentëve. Por për 17 mace, ajo studio dhe shtëpia e saj janë kthyer në një strehë shpëtimi. Në një intervistë në “Dita jonë” në A2 CNN, pianistja dhe pedagogia Kristina Petrollari Laco, rrëfen jetën e saj mes pianos dhe dashurisë për macet.
Marrëdhënia me studentët është një nga shtyllat e saj më të forta. Mes dhuratave të shumta që zbukurojnë studion. “Jam shumë e lumtur t'i shoh sot në jetë gjithë studentët e mi se si punojnë. Unë mendoj që mësuesi në planin artistik duhet të jetë një shembull. Nëse studentët shohin që pedagogu i tyre interpreton dhe nuk mungon kurrë në skenë, ky është një hap goxha i madh”, thotë ajo.
Ndonëse dikur kishte frikë prej tyre, sot ajo numëron plot 17 mace. Gjithçka nisi nga një kotele e vogël që e solli motra e saj, Matilda, dhe më pas u kthye në një mision. Gjashtë prej tyre jetojnë brenda studios, ku bashkëjetojnë në harmoni të plotë me muzikën. “Në momentin që unë bëj mësim ose studioj, këto nuk ndjehen. Janë të gjitha në gjumë të strukura. Kur ndërruam studion ishin të frikësuara, por sapo hapa pianon dhe fillova t'i bie, filluan të dilnin. Atë moment kuptuan që kjo qenka shtëpia jonë e re”, rrëfen Kristina.
Pavarësisht vështirësive dhe xhelozive mes tyre, ajo nuk pranon të japë largojë asnjërën nga shtëpia. “Po të më thonë ta marr një, unë them po kë të jap? Jo, nuk do jap asnjë”.
Artistja ka edhe një mesazh për njerëzit që braktisin kafshët. “A jemi ne si shoqëri të ndjeshëm? Jo, pak. Shoh shumë njerëz në rrugë që i trajtojnë shumë keq. Shumica e këtyre maceve nuk i kam kërkuar, por m'i kanë lënë këtu para studios”, tregon ajo. (A2 Televizion)