Në një rrëfim emocional dhe shumë personal, gazetari shqiptar Aldo Sulollari tregoi betejën e tij me mbipeshën dhe vendimin drastik për të ndryshuar jetën.
Në moshën 24-vjeçare, gazetari shqiptar Aldo Sulollari arriti në peshën 144 kilogramë për shkak të stilit të jetesës sedentare, orareve të çrregullta dhe mungesës së aktivitetit fizik. Problemet shëndetësore nisën të rëndoheshin: tension shumë i lartë, aritmi, vështirësi në frymëmarrje dhe mungesë totale e cilësisë së gjumit. Situata u bë alarmante kur mjekët i konfirmuan se gjendja e tij ishte serioze për moshën që kishte.
I ftuar në studion e “Dita jonë”, ai rrëfeu si mori vendimin për ndryshimin drastik të jetës dhe betejën e fortë për t’ia dalë mbanë. “Isha 144 kg kur vendosa të bëj ndërhyrjen. Peshën e arrita pa e kuptuar realisht, sepse edhe për shkak të punës, gjatë gjithë kohës në kompjuter. Dhe kequshqyerja, jo se kam pasur ndonjë oreks, por konsumoja edhe drekën dhe darkën bashkë, dy vakte, pas orës 10:00 të mbrëmjes”, tregon ai.
“Pata komplikacione. Natën nuk flija kurrë. Shyqyr, këto dy muajt e fundit po shikoj një përmirësim më të madh. Kam katër muaj që e kam bërë këtë ndërhyrje. Para se ta bëja operacionin kam pasur edhe rrahje shumë të forta zemre, që e tejkalonin normën për të vazhduar një aktivitet normal jetese, qoftë kjo edhe për të ecur pak ose për t'u marrë me fëmijët. Rrahjet e kalonin 130-140 në gjendje normale. Nëse do të ngjitja shkallët, pastaj as që bëhej fjalë, sepse nuk mbushesha dot me frymë”.
Pas shumë konsultash dhe frikës, Aldo vendosi t’i nënshtrohej një ndërhyrjeje kirurgjikale për zvogëlimin e stomakut. Brenda katër muajve ai humbi 40 kilogramë, por pranon se rikuperimi nuk ka qenë i lehtë. “Nuk jam rast për t’u marrë shembull, rastet më të mira janë ata që shkojnë në palestër dhe kryejnë kontrolle më të mira shëndetësore. Por situata ime doli jashtë kontrollit dhe e kisha të pamundur që të vijoja palestrën, sepse edhe kur e bëra, u përkeqësova”, tregon ai.
Vështirësitë me ushqimin, hidratimin dhe ndryshimet emocionale kanë qenë pjesë e përditshmërisë së tij pas operacionit. “Nuk është operacion i lehtë, pasi hoqa 90% të stomakut. Ka ndërlikimet e veta, nuk po konsumoja as ujë dot. Edhe sot e kam problemin e dehidratimit. Pas operacionit kam vënë re se ka ndryshime emocionale. Periudhën e fundit kam qenë pak më i ndjeshëm”.
Ai theksoi se ndryshimi më i madh ka qenë përmirësimi i shëndetit dhe rikthimi i energjisë për familjen dhe dy vajzat e tij. Sulollari apeloi që njerëzit të mos neglizhojnë shëndetin dhe, në raste serioze, t’u drejtohen specialistëve për ndihmën e duhur. (A2 Televizion)