Nuk iu shërbye ujë çezme, turistja humb çështjen në gjyq: Hoteli nuk ka asnjë detyrim

Nga A2 CNN
27 Maj 2026, 11:23 | Lifestyle

Nuk iu shërbye ujë çezme, turistja humb çështjen

Gjykata e Lartë e Italisë ka vendosur se një hotel me pesë yje në Dolomites ka vepruar në mënyrë të ligjshme kur refuzoi t'i shërbente ujë çezme një turisteje, shkruan A2 CNN. Argumentet e gruas se “uji është një burim natyror dhe një e drejtë universale e njeriut” nuk patën sukses para gjykatës, që quajti të drejtë vendimin e kamerierit për t’i ofruar vetëm ujë mineral në shishe për 7 € në restorantin e hotelit me pesë yje "Sassongher" në Corvara, gjatë sezonit të skive të vitit 2019.

Gjykata e Lartë italiane rrëzoi kërkesën e saj për 2700 € dëmshpërblim për shqetësim emocional dhe dëm ekonomik, raportojnë mediat italiane.

Silvio Belardi, avokati që përfaqëson hotelin, citohet në gazetën Corriere Alto Adige të ketë thënë se gjykata vendosi që “nuk ka asnjë detyrim për të ofruar ujë çezme”. Sipas raportimeve të mediave italiane turistja fillimisht e ngriti padinë në një gjykatë më të ulët në Romë.

Ajo pretendonte se i ishin shkelur të drejtat e konsumatorit kur stafi refuzoi kërkesën e saj për ujë çezme, duke thënë se kjo ishte një pjesë kyçe e shërbimit të hotelit dhe duke e krahasuar me “shtrimin e çarçafëve në krevat” dhe “vendosjen e sapunit në banjë”.

Por Gjykata e Lartë rrëzoi pretendimin e saj, duke vendosur se ligjet dhe rregulloret italiane nuk i detyrojnë lokalet dhe hotelet t'u ofrojnë ujë çezme klientëve dhe se vendimi për ta shërbyer atë i takon vetë bizneseve. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos