
Një studim i botuar në Scientific Reports analizoi lidhjen midis koeficientit të inteligjencës (IQ) dhe statusit socioekonomik, për të kuptuar se sa përcaktohet nga gjenet dhe sa nga mjedisi. Rezultatet treguan se të dyja përcaktohen nga gjenetika, dhe se IQ në moshën 23 vjeç është një parashikues i mirë i statusit socioekonomik në moshën 27 vjeç.
A do të thotë kjo se çdo përpjekje për të studiuar dhe edukuar veten është e kotë nëse nuk ke gjenet e duhura? Jo pikërisht.
Studimi është pjesë e projektit TwinLife, një projekt kërkimor gjerman afatgjatë i hartuar për të shqyrtuar ndikimin e gjenetikës dhe mjedisit në jetën tonë.
Në këtë rast, u ndoqën 880 binjakë , gjysmë identikë dhe gjysmë vëllazërorë. Studiuesit vlerësuan IQ- në e tyre në moshën 23 vjeç dhe statusin e tyre socioekonomik (niveli i arsimit, profesioni dhe të ardhurat) në moshën 27 vjeç .
Sipas gjetjeve, IQ, të cilin autorët e vlerësojnë si 75% të trashëgueshëm, është një parashikues i statusit socioekonomik në të ardhmen, dhe të dy janë kryesisht të trashëgueshëm. Marrëdhënia midis këtyre dy faktorëve shpjegohet kryesisht gjenetikisht: Gjenet që ndikojnë në inteligjencë janë kryesisht (69%-98%) të njëjtat që ndikojnë në suksesin social dhe ekonomik.
Me fjalë të tjera, nëse një person inteligjent tenton të ketë një arsim të mirë, një punë të shkëlqyer dhe të ardhura të larta, kjo është kryesisht falë gjeneve të nënës dhe babait të tij.
Por pikëpyetja që ngrihet është; pa një trashëgimi gjenetike të suksesshme, studimi dhe puna e palodhur për të arritur qëllimet tona është e pakuptimtë? Jo: mjedisi në të cilin rritemi dhe përvojat jetësore që kemi gjithashtu kanë rëndësi, ato thjesht kanë (shumë) më pak rëndësi se ADN-ja jonë.
Gjetjet gjithashtu sfidojnë idenë se ata që lindin në një familje të pasur kanë një rrugë të qartë drejt suksesit, si dhe ngrenë pyetje të vështira në lidhje me dobinë e disa politikave arsimore dhe sociale.
Është e rëndësishme të theksohet se IQ shpjegon vetëm 7-18% të ndryshimeve në statusin socioekonomik midis pjesëmarrësve, nuk është varianti i vetëm i ekuacionit, por është më shumë sesa çdo faktor tjetër (siç janë mjedisi, familja, motivimi personal) mund ta shpjegojë individualisht. (A2 Televizion)