Mjekja gjinekologe Eglantina Dema, në studion e “Dita Jonë” nga Bora Shahini dhe Rei Bezhani, në A2CNN, komentoi lajmin se thonjtë me xhel çojnë në infertilitet.
“Studimet thonë që ky produkt ka toksicitet, është futur edhe në produktin e klasës kancerogjene, por në sasi shumë të mëdha. Kompanitë e kozmetikës u ankuan dhe komuniteti europian e lejon për përdorim në doza shumë të vogla. Diskutimi për këtë produkt është bërë që në vitin 2012 dhe në 2020 e ka ngritur sërish si alarm Suedia”, deklaroi fillimisht Dema.
“Është parë ndikimi në fertilitet te kafshët, ndërsa studime në njerëz nuk janë bërë ende. Në doza të ulta mund të mos ketë efekte, por për të parandaluar të keqen, Bashkimi Europian e ndaloi. Unë si gjinekologe, për pacientet e mia e jap si këshillë që të përdorin produkte më të sigurta. Siç e dimë, fatkeqësisht infertiliteti është shtuar dhe nëse kemi mundësi të shmangim faktorët që na rrezikojnë, është gjëja më e mirë për të bërë”, shtoi mjekja gjinekologe.
(A2 Televizion)