Botuar fillimisht në CNN, bazuar në kërkimet e antropologes Regula Tschumi
Në Ganë, vdekja nuk është thjesht fundi, por fillimi i një udhëtimi përkujtimor madhështor dhe shpesh spektakolar. Funerali i Nii Agbetekor, lider suprem ushtarak tradicional i qytetit Nungua, u përgatit për plot dy vjet përpara se të zhvillohej në nëntor të vitit 2024. Trupi i tij qëndroi në një morg në Akra gjatë gjithë kësaj kohe, ndërsa familjarët organizonin ceremoninë e fundit të jetës së tij, një proces i mbushur me rite tradicionale, sekrete të trashëguara dhe plane të detajuara që kërkonin kohë, fonde dhe kujdes të jashtëzakonshëm.
Ky funeral, sipas antropologes zvicerane Regula Tschumi, ishte më i madhi që ishte zhvilluar në më shumë se dy dekada. Ajo ishte aty për ta dokumentuar. Edhe pse jo çdo gjë shkoi sipas planit (manekini si luan, i përdorur gjatë ceremonisë tradicionale, u përfshi nga flakët) gjithçka vazhdoi me pompozitet. Katër manekine të tjerë, në formë breshke, spec djegës, gjeli dhe peshku, bartnin pesë krerët ushtarakë të klanit Amanfa, ndërsa në manekinin e pestë ndodhej pasardhësi i Nii Agbetekor.
E veçanta e këtij funerali ishte se, pa dijeninë e saj të menjëhershme, vetë libri i Tschumi mbi funeralet e liderëve tradicionalë kishte ndihmuar organizatorët për të rikthyer disa nga ritualet e harruara. Libri i saj dhe fotografitë që kishte mbledhur nga ceremonia e fundit e ngjashme, kishin shërbyer si udhërrëfyes.
Kjo nuk është hera e parë që kërkimi i Tschumi ndikon në praktikat lokale. Ajo ka dokumentuar për më shumë se 20 vjet ritualet funerale të popullit Ga në rajonin e Akras, si dhe të Fanteve, Eweve dhe Asanteve në rajonet fqinje. Rezultatet janë përmbledhur në librin fotografik “Buried in Style: Artistic Coffins and Funerary Culture in Ghana” (“Të varrosur me stil: Arkivolet artistikë dhe kultura funerale në Ganë”).
Një nga traditat më të njohura që ajo dokumenton janë arkivolet figurativë, të formuar si objekte që përfaqësojnë jetën ose ëndrrat e të ndjerit. Një futbollist u varros në një arkivol në formën e një atleti të lyer me flamurin amerikan. Një mami u vendos në një arkivol në formën e një gruaje që lind, ndërsa një prift tradicional në një çajnik blu gjigant. Por janë familjarët ata që vendosin për dizajnin, shpesh në bashkëpunim me mjeshtrit lokalë të drurit, të cilët krijojnë arkivolet në 5 deri në 10 ditë, shumicën e kohës me mjete rrethanore.
Këto arkivole nuk janë të kushtueshëm për standardet perëndimore, por kanë fituar vëmendje ndërkombëtare, galeritë dhe muzetë i blejnë për ekspozita, duke kthyer mjeshtrit vendas në sipërmarrës globalë.
Një tjetër figurë kyçe në rrëfimin e Tschumi është Benjamin Aidoo, njeriu që krijoi fenomenin global të “valltarëve të arkivoleve”. Ai nisi punën si mbajtës arkivolesh në fundjavë për të ndihmuar familjen, por shumë shpejt kuptoi se mund ta shndërronte dhimbjen në gëzim përmes vallëzimit ceremonial. “Pse të qajmë? Duhet ta festojmë jetën e të ndjerit”, thotë ai. Shumë shpejt, grupi i tij nisi të udhëtonte nëpër vend për të performuar në ceremoni funerale, ndërsa videot e tyre u bënë virale para pandemisë, duke e kthyer kompaninë e tij në një biznes me dhjetëra të punësuar.
Por jo çdo pjesë e ceremonisë është publike. Shumë nga ritet më të thella, si varrosjet e krerëve tradicionalë dhe priftërinjve, mbeten të fshehta dhe kryhen natën. Madje, në disa raste, varrosja bëhet me arkivol të zbrazët, ndërsa trupi vendoset në një vend sekret.
Një nga praktikat më të veçanta që Tschumi dokumenton është ajo e ekspozimit të trupit për një natë, për të marrë lamtumirën e fundit. Trupi vendoset në pozicione të ndryshme, i veshur dhe i pajisur me simbole të jetës që ka jetuar. Në disa raste, trupi ndryshohet disa herë gjatë natës. Në vitin 2017, një priftëreshë u ekspozua në një manekin të varur nga tavani, dhe u rivesh tri herë, përfshirë edhe një herë ku u lye me pastë të bardhë për t’i mbrojtur shpirtin.
Kjo traditë nuk u përket vetëm figurave të rëndësishme. Një punëtor rruge u ekspozua në vitin 2022 duke mbajtur një birrë në dorë, pranë një barbecue të ndezur, si në një festë të zakonshme.
Ironikisht, kërkimi akademik ka ndikuar edhe në vetë formësimin e traditave. Libri i Tschumi i vitit 2011, “Concealed Art History…”, është përdorur nga mjeshtrit për t’u treguar krerëve në rajone të tjera modele manekinësh, të cilat më parë nuk ishin përdorur atje. Tani, edhe ata kërkojnë të njëjtat simbole të nderit.
Puna e Tschumi-t nuk është vetëm dokumentim, por një provë e gjallë e ndikimit që një studiues mund të ketë në ruajtjen dhe zhvillimin e një trashëgimie. Funerali në Ganë nuk është thjesht një fund. Është një art. Një kujtesë kolektive. Një festë e jetës dhe përjetësisë. (A2 Televizion)