Arrestimi i Lefter Kokës, mazhoranca lan duart, Basha tregon me gisht Ramën e Ahmetajn

Nga A2 CNN
15 Dhjetor 2021, 16:41 | Politikë
Arrestimi i Lefter Kokës, mazhoranca lan duart, Basha tregon me gisht

Mazhoranca është distancuar menjëherë nga ish-ministri Lefter Koka i arrestuar për korrupsion në çështjen e inceneratorëve, shpërdorim detyre dhe pastrim parash. Pas mbledhjes së Qeverisë, zv/kryeministri Arben Ahmetaj u mundua të mbyllte çështjen me fjali fare të shkurtra duke folur për përgjegjësi individuale.

Gjashtë sekonda iu deshën maxhoranës për të larë duart nga ish-ministri i saj Lefter Koka, i vënë në pranga nga SPAK me akuzën për korrupsion.

“Përballja me drejtësinë është individuale, nuk është as kolektive, as politike”, deklaroi Ahmetaj.

Pavarësisht nxitimit të zv/kryeministrit për t’u larguar nga mikrofoni, A2CNN e pyeti se çfarë do të ndodhë me mbetjet e Elbasanit pasi tashmë impianti është nën sekuestron e SPAK.

Padëshira e numrit dy të Qeverisë për të prekur çështjen e inceneratorëve u shpjegua nga Lulzim Basha, që e konsideron Ahmetajn të përfshirë në këtë aferë së bashku me shefin e tij, Edi Ramën.

Basha i kërkoi drejtësisë të vijojë hetimet mbi aferën e inceneratorëve, pasi sipas tij në të kanë dorë disa nga drejtuesit e mazhorancës. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos