
Brenda 48 orësh në Gjykatën e Tiranës janë depozituar dy kërkesa të veçanta për ndryshime të statutit të Partisë Demokratike. Në kërkesën e depozituar të martën, Partia Demokratike kërkoi pasqyrimin e ndryshimeve të statutit të partisë dhe organeve të zgjedhura në Kuvendin Kombëtar të 17 korrikut 2021. Ndërsa të mërkurën Komisioni i Rithemelimit të Partisë Demokratike i kërkoi gjykatës të pasqyrojë ndryshimet statutore të bëra në Kuvendin e datës 11 dhjetor të mbajtur në stadiumin “Air Albania”.
Dy kërkesat e njëjta në objekt, por jo në përmbajtje priten të shqyrtohen të veçuara në Gjykatën e kryeqytetit. Thelbi i gjykimit në to nuk janë vendimmarrjet e kuvendeve.
Në këtë mënyrë, në çështjet e këtij lloji gjykata luan rolin e një noteri, që pasqyron ndryshimet statusore, pasi verifikon që kërkuesin kanë respektuar statutin e mëparshëm.
Teksa Komisioni i Rithemelimit ka njoftuar mbajtjen e një referendumi për shkarkimin e Lulëzim Bashës më 18 dhjetor, juristi Cani shpjegon rrugën ligjore të shkarkimit të kryetarit, nëse i referohemi statutit që mban të publikuar në faqen zyrtare Partia Demokratike.
Kërkesa për ndryshimet statusore të Kuvendit të 17korrikut do të shqyrtohet nga gjyqtarja Blerina Muça, ndërsa ajo për ndryshimet statusore të Kuvendit të dhjetorit pritet t’i nënshtrohet shortit. (A2 Televizion)