
Një notere është arrestuar nga Policia e Tiranës, pasi akuzohet për “shpërdorim detyre” dhe “vjedhje të kryer duke shpërdoruar detyrën”.
Në pranga përfundoi Rezarta Koçi, 40 vjeç, pas një operacioni policor të zhvilluar nga Seksioni për Hetimin e Korrupsionit, në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë.
“Nga veprimet hetimore ka rezultuar se kjo shtetase, gjatë ushtrimit të detyrës si notere, në vitin 2021, duke shpërdoruar detyrën, ka përvetësuar në mënyrë të kundërligjshme shuma të konsiderueshme monetare nga qytetarë të ndryshëm. Vijon puna për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie të kundërligjshme”, tha Policia.
Në nëntor të vitit të kaluar, makinës së saj të parkuar iu vendos tritol. Nga shpërthimi, i ndodhur në makinën e parkuar në Komunën e Parisit, pati vetëm dëme materiale, dhe nuk pati të lënduar.
Në llogarinë e saj në Instagram thuhet se nga viti 2005 deri në vitin 2008 ka punuar si asistente e Zv.Ministrit të Drejtësisë Eduard Halimi. Më pas pranë Avokaturës së Përgjithshme të Shtetit në periudhën 2008 - 2009, si dhe inspektore e profesioneve të lira në Drejtorinë e Inspektimit pranë Ministrisë së Drejtësisë në periudhën 2011 - 2013. Ndërsa prej vitit 2013 ushtron profesionin e noteres. Gjithashtu, prej janarit 2020, Koçi është pedagoge e jashtme pranë Fakultetit Juridik, Universiteti Europian i Tiranës. (A2 Televizion)