





Policia e Elbasanit ka gjetur dhe sekuestruar një sasi armesh, municione, mina me telekomandë dhe eksploziv te llojit C4, të dyshuara se do të përdoreshin përkryerjen e atentateve ndaj personave të caktuar në interes të grupeve kriminale.
Në prangat e policisë ka rënë Luiz Gaxhi, 37 vjec, person me precedentë penalë në Belgjikë, në banesën e të cilit u gjetën armët dhe materialet luftarake. Ndaj tij janë ngritur akuzat e “Sigurimi i kushteve dhe mjeteve për të kryer vrasje”, “Mbajtja dhe prodhimi i armëve luftarake në sasi të mëdha” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve shpërthyese dhe i municionit”.
Në banesën e shtetasit Luis Gaxhi, u gjetën:
• 4 armë zjarri kallashnikovë, dy prej të cilave të modifikuara dhe me silenciatorë;
• 3 pistoleta me silenciatorë;
• 2 mina me telekomandë, të gatshme për t’u aktivizuar për shpërthim me komandim në distancë, nëpërmjet aparateve celulare;
• Kapsolla detonatore;
• Një sasi lënde plasëse, e dyshuar “C4”;
• 4 aparate celulare;
• Sasi e konsiderueshme municioni luftarak, blindshpues.
Në pranga ka rënë edhe bashkëpunëtori i tij Rigers Spahiu edhe ky 37 vjeç. Ai është vëllai i Arjan Spahiut, i ekzekutuar në Bruksel në nëntor 2020. Drejtuesi i policisë së qarkut të Elbasanit ka bërë publike edhe dyshimet e aktivitetit të paligjshëm të personave të arrestuar.
“U arrestuan në flagrancë shtetasit Luis Gaxhi, 37 vjeç, lindur dhe banues në Elbasan, i dënuar për vepra penale në fushën e narkotikëve, në Belgjikë; Rigers Spahiu, 37 vjeç, lindur dhe banues në Elbasan, i cili dyshohet si bashkëpunëtor në aktivitetin kriminal të shtetasit Luis Gaxhi. Në momentin e gjetjes dhe sekuestrimit të provave materiale dhe veprimeve të tjera hetimore e proceduriale, skuadrat xheniere të Njësisë Antieksploziv të Repartit Special RENEA, kanë bërë të mundur çaktivizimin e minave të telekomanduara, të cilat paraqisnin rrezikshmëri për jetën e banorëve dhe efektivëve të Policisë së Shtetit”, u shpreh në një konferencë për shtyp Ardian Çipa, drejtori i Policisë së Elbasanit.
Informacionet për goditjen e këtij grupi janë siguruar në rrugë operative, ndërsa bashkëpunimi me prokurorinë ka qene në kohë reale duke bërë të mundur organizmin e shpejtë të operacionit në fjalë.
(A2 Televizion)