
Ngërçi në të cilin është përfshirë prej javësh Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar është zgjidhur përkohësisht nga ndërkombëtarët.
Zgjedhjet për strukturat drejtuese të KOKSH, por edhe ndryshimet ne Statut do të realizohen në fund të vitit. Në Asamblenë e Jashtëzakonshme u vendos që ndryshimet, të cilat do të sjellin funksionimin normal të institucionit, do të realizohen vetëm pas Lojërave Olimpike, gjithçka bazuar në rezolutën e paraqitur nga përfaqësuesit e Komitetit Olimpik Ndërkombëtar.
Me këtë propozim të ndërkombëtarëve, në mënyrë që kontradiktat të sheshohen duke evituar gjykatat, ranë dakord të gjithë federatat anëtare. Rezoluta parashikon krijimin e një Komisioni Teknik, i përbërë nga dy anëtarë të Asamblesë, dy ndërkombëtarë dhe një përfaqësues i Ministrisë së Sporteve.
Gjatë Asamblesë që u zhvillua mes toneve të larta dhe akuzave, nuk munguan kërkesat që presidenti i KOKSH, Viron Bezhani dhe sekretari i përgjithshëm, Stavri Bello të dorëhiqeshin. Ky i fundit madje pranoi të jepte dorëheqjen, por gjithsesi mbetet në funksion deri në Asamblenë Zgjedhore. (A2 Televizion)