
Rritja e numrit të infektimeve nga Covid-19 ka bërë që menjëherë në Itali të merren masa shtrënguese sa i takon stadiumeve dhe spektaklit të krijuar nga tifozeria.
Qeveria italiane bëri publike masat e reja, ku theksoi se nga muaji i ardhshëm nuk mjafton vetëm pasaporta e vaksinimit ose ndryshe pasaporta e gjelbër që zotërojnë personat me dy ose më shumë doza, por duhet dhe një test PCR.
Sipas Komitetit Teknik Shkencor, ata që do të hyjnë në ambientet e stadiumeve italiane duhet të paraqesin edhe një tampon ose test të shpejtë negativ, të kryer brenda 72 orëve të fundit.
Ka qenë vetë kryeministri Mario Draghi i cili shpjegoi se ky vendim nuk do të jetë vetëm te stadiumet, por edhe në ngjarje të tjera kryesore të vendit. Kjo, për t’u mbrojtur nga kjo valë e re e infektimeve apo nga variantet e reja që po qarkullojnë.
Kujtojmë se pak muaj më parë, plani i Komitetit Teknik ishte që stadiumet në Itali të hapen me 75% të kapacitetit dhe deri në fund të vitit të shkojë në 100%, mirëpo me zhvillimet në vend pritet që dhe ky skenar të bjerë poshtë. (A2 Televizion)