Policia Gjermane i ka dhuruar Policisë Shqiptare 5 automjete, mes tyre edhe një autoambulancë, celularë si dhe një sërë pajisjesh të tjera logjistike. Donacioni me vlerë rreth 560 000 euro, iu dorëzua drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, nga ambasadori i Gjermanisë në Shqipëri, Peter Zingraf.
Gjatë fjalës së tij, ambasadori Zingraf vlerësoi bashkëpunimin bashkëpunimin midis dy policive, ndërsa theksoi se autoritetet ligjzbatuese gjermane do të mbështesin Policinë shqiptare.
“Bashkëpunimi midis Policisë shqiptare dhe asaj gjermane është real, konkret dhe i prekshëm nga qytetarët, pasi është i ndërtuar mbi baza besimi dhe vendosmërie të përbashkët, për të garantuar rend dhe siguri publike, për qytetarët e të dy vendeve”.








Nga ana e tij drejtori i Policisë, Muhamet Rrumbullaku theksoi se donacioni gjerman do të rritë kapacitetet profesionale dhe do të ndikojë në përmbushjen e detyrave të punonjësve të Policisë, në luftën kundër krimit.
“Ky set logjistik do të rritë kapacitetet profesionale të Departamentit për Kufirin dhe Migracionit dhe të njësive speciale, shpejtësinë e reagimit operacional të tyre, në terren, si dhe do të ndikojë në përmbushjen sa më efikase të detyrave funksionale të punonjësve të Policisë, në drejtim të luftës kundër krimit ndërkufitar, krimit të organizuar dhe krimit në përgjithësi”. (A2 Televizion)