
Ka nisur në A2 këtë të hënë emisioni më i ri “Absolut 4”, ku të ftuar janë sekretari i përgjithshëm i PS, Taulant Balla, ai i PD, Gazmend Bardhi, si dhe analistët Lutfi Dervishi dhe Afrim Krasniqi.
Taulant Balla, u shpreh në “Absolut 4” se ish-kryetari i Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako, nuk do të jetë kandidat për deputet nga PS në zgjedhjet e 25 prillit.
“PS nuk ka mbështetur dhe nuk mbështet askënd që bie në rrjetën e dekriminalizimit. Për sa kohë që në të gjitha rastet që janë ngritur akuza, standardi ynë ka qenë vetëm një, ne e kemi bërë të qartë se ai person duhet të përballet me drejtësinë.
Nëse një person është subjekt i këtij ligji, atëherë ata nuk do të kandidohen. Ligji është i tillë që rrjetën nuk e kalon askush.
Sa i përket çështjes së zotit Vangjush Dako, kryeministri ka qenë shumë i qartë se, në rast se nga institucionet e drejtësisë shqiptare do të ngrihet një akuzë ndaj zotit Dako, padyshim që PS do të vendosë të njëjtin standard. Më lejoni ta them se zoti Dako nuk do të jetë kandidat për deputet në listën e Durrësit nga PS”, tha Balla. (A2 Televizion)