Ballkani i Hapur, marrëveshjet që nënshkruhen të martën. Edhe Alex Soros në darkën me liderët e tre shteteve

Nga A2 CNN
20 Dhjetor 2021, 11:25 | Politikë
Ballkani i Hapur, marrëveshjet që nënshkruhen të

Delegacionet e Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut që do të marrin pjesë në takimin e Ballkanit të Hapur në Shqipëri, mbërrijnë sot pasdite në Tiranë. Sipas agjendës së publikuar të takimit, pas akomodimit në hotel në kryeqytet, kryeministri Rama ka ftuar Aleksandar Vuçiç dhe Zoran Zaev për darkë te “Fish City”, restoranti i peshkut ku u organizua edhe mbledhja e fundit mes qeverisë së Shqipërisë dhe asaj të Kosovës.

Në tavolinën kryesore, sipas listës së publikuar në agjendën zyrtare, do të jenë Rama, Vuçiç dhe Zaev, si dhe ministrja e Financave, Delina Ibrahimaj, ajo e Bujqësisë, Frida Krifca, ministri serb i Bujqësisë, Branislav Nedimović, ministri serb i Financave, Siniša Mali, ministri i Financave të Maqedonisë së Veriut Dimitar Kovacevski, dhe ministri i Bujqësisë së Maqedonisë së Veriut, Trajan Dimkovski.

Në darkë do të jenë të pranishëm gjithashtu krerët e Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë së Shqipërisë, Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut, Ines Muçostepa, Marko Cadez dhe Antoni Peshev. Gjithashtu, do të jetë i pranishëm edhe Jim O’Brien, këshilltar i lartë i Këshillit të Atlantikut dhe Alex Soros, nënpresidenti i Fondacionit Shoqëria e Hapur.

Të martën, palët do të ulen në tryezën e bisedimeve, ku përveç Ramës, Vuçiç dhe Zaev do të jetë edhe eurokomisioneri për Zgjerimit dhe Fqinjësinë, Oliver Varhelyi dhe Majlinda Bregu, Sekretare e Përgjithshme e Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal.

Të martën pritet gjithashtu të nënshkruhen disa marrëveshje mes vendeve pjesëmarrëse:

1. Marrëveshje për kushtet që të mundësojnë akses të lirë në tregun e punës në Ballkanin Perëndimor.

2. Marrëveshje për skemat e interkonjeksionit për identifikimin elektronik të qytetarëve të Ballkanit Perëndimor.

3. Marrëveshje mes qeverive të 3 shteteve për bashkëpunimin në fushën e veterinarisë, sigurisë ushqimore dhe fitosanitare në Ballkanin Perëndimor.

4. Marrëveshje mes ministrive të Financave të Shqipërisë dhe Serbisë për njohjen e përbashkët të autorizimeve të sigurisë për operatorët ekonomikë.

5. Marrëveshje mes ministrive të Financave të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut për njohjen e përbashkët të autorizimeve të sigurisë për operatorët ekonomikë.

Në mesditë është parashikuar të mbahet edhe forumi për Bujqësinë dhe Bashkëpunimin Rajonal, ndërsa në orën 13:00, është parashikuar edhe konferenca për media e 3 liderëve, Rama, Vuçiç dhe Zaev. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos