Ballkani i hapur, Pollo: Fatmirësisht, ndërkombëtarët po ndërgjegjësohen për rreziqet

Nga A2 CNN
17 Dhjetor 2021, 22:40 | Politikë
Ballkani i hapur, Pollo: Fatmirësisht, ndërkombëtarët po

Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Genc Pollo, në “Intervistë” me Merita Haklajn, në A2 CNN, rreshtoi arsyet se pse do të jetë në protestën kundër Ballkanit të Hapur, kur samiti i kësaj nisme të mbahet në Tiranë.

“Kundërshtimi që i është bërë Ballkanit të Hapur ka qenë një nga gjërat më të mira që ka ndodhur në këto dy vite e gjysmë që ekziston kjo nismë e Novi Sadit. Ballkani i Hapur është nismë e dëmshme për Shqipërinë sepse nëse realizohet hapja e tregut në atë mënyrë, Shqipëria ekonomikisht del e humbur; nga pikëpamja gjeostrategjike, rrezikon ta orientojë Ballkanin Perëndimor drejt fuqive jo miqësore me Evropën dhe Perëndimin; dhe e treta, Kosova po ndëshkohet nga mënyra se si e ka trajtuar qeveria Rama. Nuk ka ndodhur ndonjëherë që Tirana të rreshtohet në një bosht armiqësor me Kosovën. Prandaj unë do të jem në protestën kundër mini Shengenit”, shpjegoi Pollo.

Sipas Pollos, “fatmirësisht ka ndërgjegjësim edhe ndërkombëtar për natyrën e Ballkanit të Hapur”.

“Nëse në fillim, duke e parë nga larg, nuk vunë re asgjë të keqe nga një nismë e re mes vendeve fqinje, konturet që ka marrë tani kjo nismë po bëhen të rrezikshme dhe po rivalizojnë në mënyrë të sëmurë tregun e përbashkët rajonal. Amerikanët, duke njohur rreziqet, po thonë që të orientohemi në tregun e përbashkët rajonal”, theksoi Genc Pollo. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos