
Genc Pollo, ish-deputet i Partisë Demokratike, në “Intervistë” me Merita Haklajn, në A2 CNN, deklaroi se në referendumin për shkarkimin e Lulzim Bashës nga posti i kreut të PD-së nuk do të ketë konflikte.
“Është për të ardhur keq që linja e Lulzim Bashës operon me ndërrime bravash, me mbyllje dyersh me zinxhir, me bllokim të selive të PD-së, por demokratët janë treguar të mençur dhe kanë evituar konfrontimin fizik”, tha Pollo.
“Partia janë njerëzit, nuk janë godina të caktuara. Jam i bindur që konfliktet do të shmangen, pavarësisht nga gjestet e shëmtuara të ndërrimit të bravave. Dhe e dyta, anëtarët e PD-së do të dalin masivisht në votime për të konfirmuar vendimin absolut të kuvendit që e shkarkoi Bashën nga posti i tij”, shtoi Pollo.
Sipas tij, “votimi do të jetë i hapur për median dhe transparencën do ta garantojë pasqyrimi i saj”. (A2 Televizion)