
Genc Pollo, në “Intervistë” me Merita Haklajn, në A2 CNN, tregoi se çfarë presin partnerët e huaj nga Partia Demokratike.
“Ndërkombëtarët presin një opozitë efektive. A mund të kishim opozitë efektive me të njëjtën figurë edhe 4 vitet e ardhshme? Nuk mund të thuash që “mua m’u deshën 8 vite që të emancipohem nga Sali Berisha dhe tani më duhen 8 vite në opozitë që të emancipohem nga Edi Rama”. Nuk mund të rrish 16 vite në opozitë. Për më tepër që nuk ke garanci që të fitosh edhe pas 16 vitesh”, tha Pollo.
“Ne kemi dashur që në një çështje të brendshme të Partisë Demokratike të mos kishte marrje pozicioni në favor të njërës apo tjetrës palë. Sigurisht që shqetësimi për të ardhmen e PD-së është i madh. Çështja e përgjegjësisë për disfatën elektoralo-politike të 25 prillit duhet të dilte më qartë, se kush ka përgjegjësi. Lulzim Basha nuk mund të ishte më kryetar i partisë për të sfiduar më tej mazhorancën”, shtoi ish-deputeti demokrat.
Sipas tij, Basha nuk ka marrë përgjegjësi për humbjet: “Nuk kam parë të marrë përgjegjësitë e veta për djegien e mandateve. Duke bojkotuar zgjedhjet lokale, kemi humbur 6-8 mandate”.
Kur u pyet se çfarë ndodh pas 18 dhjetorit, Pollo u përgjigj: “Zgjidhja do të jepet nga anëtarësia. Është një çështje proceduriale që do të marrë rrugën e vet. Selia është e demokratëve. Anëtarësia do të shprehet me votë”. (A2 Televizion)