
Pas mbledhjes së përbashkët të qeverive të Shqipërisë dhe Kosovës, kryeministrat e dy vendeve, Edi Rama dhe Albin Kurti, dolën në një konferencë të përbashkët për shtyp, ku u shprehën se fakti që e mendojnë ndryshe për “Ballkanin e hapur”, nuk do të pengojë bashkëpunimin mes tyre.
Kreu i qeverisë shqiptare deklaroi: “Mendimi i Shqipërisë lidhur me Kosovën dhe Serbinë njihet, e kam thënë edhe në mes të Beogradit. Në lidhje me “Ballkanin e hapur” kemi qasje të ndryshme, por duhet të mësohemi me faktin që mund të mos mendojmë njësoj për gjithçka. Kjo nuk duhet të na pengojë që të punojmë për një të ardhme sa më të mirë për të dyja vendet tona. Ballkani i hapur nuk përbën pengesë për fuqizimin e marrëdhënieve mes nesh”.
Në të njëjtën linjë ishte edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti: “Mbledhja e sotme dëshmoi se Kosova dhe Shqipëria mund të planifikojnë dhe të arrijnë marrëveshje pa e përmendur fqinjin verior të Kosovës”.
Sa i përket zbatimit të marrëveshjeve që janë nënshkruar deri më sot mes dy vendeve, Rama pranoi problematikat, por vuri në dukje edhe anët pozitive.
“Jo të gjitha marrëveshjet e firmosura kanë gjetur zbatim të plotë. Këtë e pranojmë dhe e kam diskutuar me çdo qeveri në Kosovë. Por, nuk mund të thuhet se rezultati është 0. Ka marrëveshje që janë zbatuar plotësisht, ka që po zbatohen, ka edhe që kanë ngecur. Me Albinin jemi fokusuar te një numër marrëveshjesh që jo vetëm janë konkrete në fjalë, por janë pjesë e një pune konkrete që është bërë. Për shembull, hekurudha është vënë në buxhet, pavarësisht se u firmos sot. Jemi në kushtet ku po reflektojmë se çfarë nuk ka shkuar më parë dhe po punojmë për zbatimin e marrëveshjeve. Duhet të jemi pak më vlerësues, siç jemi edhe kritikë për gjërat që nuk kanë funksionuar siç duhet. Puna juaj (e gazetarëve) e do që të shikoni gotën gjysmëbosh, puna ime e do që ta shikoj gjysmëplot”, deklaroi Rama.
Ndërsa Kurti u shpreh: “Jam optimist për atë që po bëjmë këtë vit dhe besoj se viti i ardhshëm do të tregojë se interesi i qytetarëve është shndërruar në detyrë për ne si krerë shtetesh”. (A2 Televizion)