
Anëtarësimi i disa vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Europian deri në vitin 2025 nuk është real. Kështu është shprehur ish-zëvendës ndihmësi i Sekretarit Amerikan të Shtetit, Brian Hoyt Yee.
I cituar nga Zëri I Amerikës në gjuhën serbe, ai thotë se bashkësia ndërkombëtare momentalisht nuk ka strategji të qartë për Ballkanin Perëndimor dhe se as Bashkimi Europian, as Shtetet e Bashkuara të Amerikës, nuk po i kushtojnë rajonit rëndësinë e duhur.
“Ajo që mbështes nuk është një alternativë për rrugën europiane, por një planifikim ndryshe prioritetesh. Në këtë mënyrë i jepet fund cinizmit, pesimizmit dhe dyshimeve për rrugën Europiane”
Brian Hoyt Yee, ish-Zyrtar I SHBA
Ai vlerëson dhe takimin e Berlinit të liderëve të Ballkanit Perëndimor të thirrur nga Kancelarja Angela Merkel dhe Presidenti Emmanuel Macron. Hoyt Yee shpreson që liderët të diskutojnë sinqerisht dhe në detaje për hapat e ardhshëm në dialogun mes Serbisë dhe Kosovës.
“Mendoj se ideja për ndarje të territoreve në vija etnike nuk është e mirë, as pragmatike, as politike, as diplomatike. Nuk është diçka për të cilën duhet folur”
Brian Hoyt Yee, ish-Zyrtar I SHBA
Ndër të tjera, ish-diplomati amerikan tha se Serbia duhet të vendosë “nëse do që tëulet në karrigen ruse apo atë evropiane”. (A2 Televizion)