
Marrëveshja e Prespës mes Maqedonisë veriore dhe Greqisë mund të çojë drejt ujdive të tjera në Ballkan. Kështu mendon komsioneri për politikat e fqinjësisë dhe zgjerimin Johanes Hahn.
Në një intervistë për “Washington Post”, Hahn, thotë se shpreson që zgjidhja e problemet shumëvjeçar të emrit të shërbejë si shembull për konfliktet e tjera, kryesisht atë mes Kosovës dhe Serbisë. Hahn nuk e përjashtoi mundësinë e shkëmbimit të territoreve, nëse palët të dakordësohen, por theksoi se një marrëveshje ligjërisht e detyrueshme do të mbulonte fushat përtej kufijve dhe se “një element themelor në një marrëveshje të ardhshme duhet të jetë respektimi i të drejtave të pakicave”.
“Në këtë moment askush nuk mund të parashikojë se cili mund të jetë rezultati final. Një shkëmbim i mundshëm territoresh, nëse palët do të preferojnë, do të ishte copëza e fundit e një panorame më të madhe. Parakushti i vetëm që ne kemi ngritur është që çdo lloj marrëveshje dypalëshe të kontribuojë për më shumë paqe dhe stabilitet në rajon”, tha Johanes Hahn.
Duke komentuar mbi rolin e shteteve të bashkuara në rajon, komisioneri për zgjerimin tha se Uashingtoni nuk ishte më shoferi, ashtu si në luftërat e viteve 90-të. Mendoj se ata janë të lumtur që sot, jemi ne ata që kemi drejtimin në dorë, komenton Hahn. (A2 Televizion)