Basha me demokratët e qarkut Gjirokastër: Ramës nuk i qesh buza se e di krimin që ka bërë

Nga A2 CNN
27 Maj 2021, 13:39 | Politikë
Basha me demokratët e qarkut Gjirokastër: Ramës nuk i qesh buza

Kreu demokrat, Lulzim Basha, është ndalur sot në Gjirokastër, Tepelenë dhe Përmet në vijim të turit elektoral, ku kërkon votën e demokratëve, në zgjedhjet e 13 qershorit, pas humbjes në zgjedhjet e 25 prillit. Në fjalën e tij Basha kërkoi bashkimin e demokratëve për të vijuar misionin deri në rrëzimin e Ramës. Sipas tij, kryeministrit nuk i qesh buza se e di krimin elektoral që ka bërë.

“Misioni ynë  dhe i shqiptarëve vazhdon. Nuk ka ndarje pas 25 prillit sepse ëndrra e tyre vazhdon. Është ndaluar përkohësisht me 25 prill, por 25 prilli nuk ka zgjidhur asgjë për ata, përkundrazi i ka bërë më të rënda problemet. Të gjitha problemet që nga problemet e fermerëve e të papunëve e deri te integrimi europian i vendit. Gjithçka, 25 prilli jo vetëm nuk e ka zgjidhur, por e ka bërë  më të rëndë. Prandaj nuk i qesh buza se e di krimin që ka bërë, e di faturën që ka prekur dhe tani do të bëjë gjithçka që ata që do të presin faturën të jenë sa më të përçarë dhe sa më të dobësuar. Ne në fakt kemi dalë më të fuqishëm”.

Ai u kërkoi demokratëve të qarkut të Gjirokastrës për të vijuar betejën kundër qeverisë.

“Dhe unë kam ardhur këtu sot t’ju kërkoj që të dalim jo vetëm të bashkuar, por edhe të vendosur  për vazhdimin e kësaj beteje. Sikundër ju kërkoj që të jeni bashkë me mua në vazhdimin e kësaj beteje e cila kërkon lidership të sprovuar dhe të vendosur. Kjo sigurisht është në dorën tuaj, por jam  i bindur që betejat që kemi nisur do t’i çojmë deri në fund jo për veten tonë, as për karriget tona, por për të gjithë ata qytetarë të Gjirokastrës e të mbarë Shqipërisë”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos