
Si bashkëpunëtor i Berishës në 4 vite qeverisje, Edvin Kulluri e konsideroi vendimin e Departamentit Amerikan të Shtetit për shpalljen non grata të liderit historik të PD-së, të qëndrueshme dhe të arsyetuar. Sipas tij, Berisha më shumë ka dhënë kontribute në vend sesa ka bërë gabime, por nuk mund të gjykojë vendimin e SHBA-së, sikundër të drejtën e ish-kryeministrit për t’u mbrojtur.
“Në 2005 kam qenë drejtor i marrëdhënieve me publikun i fushatës. Kam qenë sekretar i përgjithshëm i Ministrisë së Mbrojtjes për 4 vite. Përtej rolit historik që ka si lider deri në 2013, kam qenë bashkëpunëtor i tij, kam bashkëpunuar me vullnet të lirë. Berisha më shumë ka dhënë kontribute pozitive, sesa ka bërë gabime siç ka edhe faje si çdo politikan i këtij niveli, por arsyet e Dash mund të jenë të qëndrueshme të tyre dhe nuk kemi të drejtë të gjykojmë arsyetimin e SHBA-së, ashtu siç askush nuk ka të drejtë të mohojë të drejtën e Berishës për t’u mbrojtur”.
Edhe pse nuk e konsideron Berishën një lider autokrat, Kulluri thekson se PD-ja duhet të shkëputet nga modeli i liderit absolut dhe të shkojë te vendimmarrja kolegjiale dhe e hapur.
“PD duhet të shkëputet nga modeli i liderit absolut dhe të shkojë te vendimmarrja kolegjiale dhe e hapur. Nuk mund të përsërisim të njëjtat gabime. PD-ja ka nevojë për lider perëndimor jo retorik si zoti Basha. Lideri absolut në parti është epokë e mbyllur. Berisha nuk ka qenë i tillë, vendimmarrja ka qenë më e mirë në PD, pavarësisht akuzave në mënyrë të pandershme që i bëhen atij si lider autokrat në PD, ne që kemi punuar me të e dimë”. (A2 Televizion)