Gara për kreun e PD, Gjana: Listat nuk janë publike pasi cenojnë të dhënat personale

Nga A2 CNN
27 Maj 2021, 11:45 | Politikë
Gara për kreun e PD, Gjana: Listat nuk janë publike pasi cenojnë

Transparencë dhe rregulla të barabarta në garën për kryetar të PD-së. Këtë ka premtuar kryetari i Komisionit Zgjedhor në PD, Jemin Gjana në një deklaratë për mediat, ndërsa prezantoi rregullat për garën që do zhvillohet brenda PD. Ndër të tjera, ai shpjegoi arsyen përse nuk janë bërë publik listat me anëtarët që kanë të drejtë vote, një kërkesë kjo e kandidatëve që garojnë përballë kryetarit Lulzim Basha.

“Lista e anëtarësisë së PD është me 75 067 anëtarë. Lista është e kyçur dhe sistemi mund të kontrollohet vetëm në praninë e përfaqësuesve të kandidatëve për kryetar të PD. Kemi diskutuar në komision për listat e anëtarësisë mbi debatin a mund të kenë kandidatët listat. Rregullat e lojës edhe në një organizatë politike nuk mund të jenë mbi ligjin. Kemi ligjin për mbrojtjen e të dhënave personale, i cili detyron që askush nuk mund ta shkelë pa autorizimin e individit që na ka dorëzuar të dhënat. Përkatësia politike është një e dhënë sensitive personale. Këto të dhëna mund të aksesohen vetëm nga ekspertët që caktojnë vete kandidatët, duke e bërë procesin të besueshëm dhe transparent”.

Ai njoftoi edhe vendimet e miratuara të Komisionit Zgjedhor, sa i takon procesit të zgjedhjeve, ku ndër të tjera çdo kandidat do të ketë edhe përfaqësuesin e tij ligjor në komision. Sipas Gjanës në 7 qershor caktohen vendvotimet, bazuar në propozimet e degëve.

“Komisioni Zgjedhor për Kryetarin e PD plotësohet me 4 anëtarë.  Secili kandidat ka 1 përfaqësues të tij në komision.  Komisioni miratoi kalendarin e ecurisë së procesit të zgjedhjeve deri në shpalljen e kandidatit fitues.  Kandidatët do të kenë përfaqësuesit e tyre në komisionet e votimit në të gjithë vendin. Ata do të trajnohen me ndihmën e fondacionit Konrad Adenauer. Modalitetet e fletës së votimit do të përcaktohen deri në datën 6 qershor, ndërsa deri në dt 7 qershor caktohen vendvotimet, bazuar në propozimet e degëve. Materialet e votimit do të tërhiqen nga kryetari komisionit të votimit dhe secili kandidat ka të drejtë të vendosë një shoqërues për materialet e votimit në çdo degë”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos