
“75% e të rinjve duan të largohen nga vendi dhe 94% e atyre që studiojnë jashtë nuk duan të kthehen në Shqipëri. Që të fitojë rinia shqiptare, duhet të largojmë Edi Ramën pasi ai ka marrë peng fatet e rinisë shqiptare. Në fytyrat tuaja shoh shpresën, besimin, ndryshimin dhe fitoren e 25 prillit. Fitorja e së mirës në Shqipëri gjithmonë ka pasur fytyrën e rinisë”.
Kështu u shpreh kryetari i PD, Lulzim Basha, gjatë një takimi me studentë dhe përfaqësues të EDS (European Democrat Students).
Basha tha më tej se ligji i arsimit të lartë u konceptua si një ligj për të nënshtruar rininë. Akti i parë në programin tonë është abrogimi i ligjit për arsimin e lartë. Ligj i ri i përmasave dhe parimeve europiane, tha Basha.
“Ne do të bëjmë të mundur përmes këtij ligji autonominë universitare. Do t’i kthejmë këto universitete në qendra përgatitjeje për hapat e tjerë që ju presin në jetë. Kjo nuk është Shqipëria që duam! Mundësitë e Shqipërisë janë shumë më të mëdha, por këto mundësi janë marrë peng dhe po shpërdorohen nga një kryeministër që mendon vetëm për veten e tij. Gjërat mund të ndryshojnë, gjërat do të ndryshojnë. 25 prilli është ditë ndryshimi dhe shqiptarët janë më të bashkuar dhe më të bindur se kurrë, pavarësisht bindjeve politike”, u shpreh Basha gjatë fjalës së tij. (A2 Televizion)