
Në një bashkëbisedim me të rinjtë, ku i pranishëm ishte edhe kryetari i Forumit Rinor te CDU-se gjermane, Tilman Kuban, kryetari i PD, Lulzim Basha theksoi se dështimi më i madh i qeverisë Rama është pikërisht me të rinjtë.
“Dështimi më i madh i kësaj qeverie është ai me rininë, e cila po rritet në një vend me një klimë të shkatërruar për ekonominë, në një vend ku për fat të keq fjala e parë për rininë është të largohen nga ky vend. Por nuk do të jetë kështu për shumë gjatë sepse ky vend ka mundësi të mëdha e veçanërisht për rininë. Nevojitet një reformë e thellë në arsim ku në qendër të jetë studenti. Ne e kemi këtë vizion, ne e kemi treguar se e kemi këtë forcë, në veçanti për rininë”, tha Basha.
Zotimi ynë kryesor, tha Basha, është ta kthejmë shpresën në Shqipëri.
Ndërkohë, kryetari i Forumit Rinor të CDU, Tilman Kuban, tha se Gjermania e ka derën e hapur me plotësimin e 9 kushteve.
“Ju keni mundësi të thoni “ne duam ndryshimin, ne nuk e duam krimin e organizuar, ne nuk e duam korrupsionin, ne nuk duam zgjedhje të manipuluara”. Ju keni një mundësi që t’i thoni brezit më të ri se kjo është e ardhmja jonë dhe e ardhmja jonë është në Europë, jo në socializëm, jo me mafian e drogës. Prandaj, Gjermania ju ofron derën e hapur nëpërmjet 9 kushteve të Bundestagut. Prandaj, Lulzim Basha ju ofron një mundësi duke protestuar me të, bërë fushatë me të, dukë iu bashkuar atij, pasi ai është një njeri i jashtëzakonshëm. Ai është gjithashtu mik personal i Angela Merkelit, një nga udhëheqëset politike më të fuqishëm në botë. Por ne vetëm sa mund të hapim dyert. Ju duhet të kaloni vetë. Ju lutem na ndihmoni ta ndryshojmë këtë vend”, tha kreu i të rinjve të CDU-së. (A2 Televizion)